Nga Boldnews.al
Ardi Veliu është i treti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë radhazi në 5 vitet e qeverisjes së “Rilindjes” që do të paraqitet para prokurorëve, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale. Por, ndryshe nga paraardhësit e tij, Artan Didi dhe Haki Çako, drejtori aktual, Veliu, duket se është në pozita më komode, për shkak se Prokuroria, sidomos ajo e Krimeve të Rënda, është vendosur nën “shërbimin” e qeverisë.
Ardi Veliu paraqitet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mesditën e së Martës, për të dhënë shpjegime mbi rolin e tij në “përpunimin” e Fredi Alizotit, i cili deklaron se, më 1 qershor 2018, është marrë në makinë prej Drejtorit të Policisë dhe është dërguar në Prokurorinë për Krime të Rënda, ku duhet të deklaronte se ai është “aktori” që ka luajtur rolin e Agron (Geron) Xhafaj në bisedën e audio-regjistruar me Alfred Veliun (Babalen).
Në mars të vitit 2015, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së asaj kohe, Artan Didi, u përfshi në një skandal me fshehjen e urdhër-arrestit ndërkombëtar të Belgjikës për deputetin Mark Frroku. Didi, një ish-drejtues operacional policie dhe më pas komisioner i Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013, u emërua në detyrën e lartë nga kryeministri Edi Rama, me propozim të Saimir Tahirit.
Pasi u paraqit në rolin e tij të preferuar, atë të “Rambos” në operacionin e Lazaratit, Didi u përfshi më tej në një konflikt, të papublikuar me Saimir Tahirin. Goditja fatale ndaj Didit, i cili e kishte humbur besimin e Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, ishte skandali që shpërtheu për fshehjen e urdhër-arrestit për Mark Frrokun. Nga të dhënat e publikuara në atë kohë, rezultoi që urdhër-arresti belg për Frrokun, i akuzuar për një vrasje të vitit 1999 në Bruksel, ishte mbajtur në sirtarët e shefave të mëdhenj të policisë për të paktën 4 muaj.
Pasi u zbulua ky skandal, u arrestuan shefi i Interpol Tirana dhe një specialiste e kësaj zyre. Ndërkohë, dyshimet më të mëdha ishin që fshehja të ishte realizuar me dijeni dhe urdhër të vetë Didit, i orientuar nga Edi Rama, i cili nuk donte t’i humbiste një deputet aleat, aq më tepër për akuzën e vrasjes. Gjithësesi, Didi nuk u mor asnjëherë në akuzë, pasi ai dha menjëherë dorëheqjen “e detyruar” dhe u emërua me shpejtësi si atashe në ambasadën shqiptare në SHBA.
Pas Didit, ishte radha e Haki Çakos që të përballej me prokurorët. Ai u vendos nën akuzë zyrtare për përgjime të paligjshme, nëpërmjet një pajisje teknike, Imsi Catcher. Të dhënat e publikuara në vitin 2016 e lidhnin Çakon me urdhërimin e vartësve të tij për të përgjuar në mënyrë të paligjshme figura të rëndësishme publike, përfshirë kryetarin e kuvendit, zyrtarë të opozitës, kryebashkiakun e Tiranës, prokurorë e gjyqtarë dhe të tjerë persona që “Rilindja” dhe Saimir Tahiri i konsideronin si kundërshtarë.
Në vijim të hetimeve, Haki Çako u pezullua nga detyra, ndërsa dy vartës të tij u arrestuan. Kjo situatë shkaktoi një reagim të furishëm të qeverisë “Rama”, e cila përdori çdo mjet për të intimiduar prokurorët dhe gjyqtarët e çështjes. Haki Çako u rikthye në detyrë, nga e cila u largua disa muaj më pas, për shkak të dështimit total me kontrollin e territorit, të “lulëzuar” nga kanabisi.
Në të njëjtën periudhë që ka drejtuar Çako, tre drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Vlorës rezulton se kanë bashkëpunuar me grupin e narko-trafikantëve Habilaj, kushërinj të Saimir Tahirit, për trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë. Shefat e Policisë, Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode aktualisht janë në arrati, ndërkohë që ish-drejtuesi i tyre më i lartë, Saimir Tahiri, është nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, si i dyshuar pikërisht për bashkëpunimin me Habilajt.
Së fundmi, edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në detyrë, Ardi Veliu do të jetë përballë prokurorëve të Krimeve të Rënda, ku do të përgjigjet mbi deklarimet e Fredi Alizotit dhe rolin e tij në hetimin e rastit “Agron (Geron) Xhafaj”.
Gjithësesi, nuk pritet që ndaj Veliut të hidhen dyshime. Madje, prokuroria pritet që të angazhohet maksimalisht për të shuar çdo dyshim të ngritur mbi Kryepolicin e Shqipërisë. Kjo, për shkak se në hetimin e rastit “Xhafaj”, Prokuroria për Krime të Rënda vërtetoi, me dokumentat e saj, se nuk ka kryer asnjë hetim për Agron (Geron) Xhafaj, i akuzuar nga Alfred Veliu për përfshirje në “trafik narkotikësh”, por ka hetuar dhe ka urdhëruar arrestimin e denoncuesit.