“Më jepni njëherë bukë të mbush barkun se jam shumë i uritur, pastaj flasim se përse e bëra vrasjen”. Këto kanë qenë fjalët e para që ka thënë në komisariatin e policisë së Burrelit, kryeplaku i fshati Shëlli, Kujtim Koxha, i cili dy ditë më parë bëri masakër, duke vrarë me kallashnikov tre punonjës së Bashkisë së Matit dhe duke plagosur një tjetër. I pyetur se përse e bëri vrasjen e trefishtë që tronditi banorët e zonës dhe të gjithë opinionin publik, 51-vjeçari u ka kërkuar të mbush barkun me bukë. Ndërsa, i kanë thënë se do t’i caktonin një avokat, ai është shprehur se “avokatin e gjej vetë”. Më pas, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit e çështjes, autori i ngjarjes së rëndë është justifikuar me fjalët se njëri nga viktimat e kishte fyer dhe e kishte qëlluar me shuplakë.
“Njëri nga ata më qëlloi në shuplakë dhe më tha je i dehur. Më pas nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur”, është shprehur 51-vjeçari, i cili pohohet të jetë person problematik. Më pas, Kujtim Koxha ka treguar se pas debateve për rrugën me punonjësit e bashkisë ka shkuar në shtëpi, 500 m larg lokalit ku po drekonin dhe ka marrë automatikun.
Burime nga grupi hetimor bënë me dije se në vendin e ngjarjes u gjendën 11 gëzhoja, pasi kryeplaku i fshatit ka qëlluar me breshëri. Një nga të pranishmit ka tentuar t’ia heqë armën nga dora, pasi Koxha tentoi të vriste të gjithë ata që ndodheshin në lokal. Ndërkaq, mesditën e dje-shme iu është dhënë lamtumira e fundit viktimave: Mentor Hoxha 36 vjeç, Erzen Aliaj 49 vjeç dhe Hamit Buçi. Ceremonitë e varrimit janë bërë në tri fshatra. Kjo për faktin se pasi ata jetonin në fshatra të ndryshme, kon-kretisht në Zonisht, Burgajet, Shëlli.
Në varrimin e viktimave kanë marrë pjesë qindra njerëz, stafi i Bashkisë së Matit, si dhe përfaqësues të PD-së, PS-së si dhe deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu. Pasditen e djeshme ka mbërritur në Mat dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili ka vizituar dhe ka ngushëlluar familjarët e tre të vrarëve. Gjithashtu, Basha ka qenë edhe në spitalin e Burrelit ku ka vizituar 40-vjeçarin Astrit Hani, i cili mbeti i plagosur, duke i mbijetuar masakrës. Ky i fundit, ndo-nëse në gjendje të rënduar psikologjike, tregoi dje për “Gazeta Shqiptare” minutat e tmerrit, kur pa se si Kujtim Koxha, ish-plakun e fshatit të qëllonte me breshëri automatiku tre kolegët e tij dhe atë vetë.
DËSHMIA E TË MBIJETUARIIT
Astrit Hani tha se dy orë para ngjarjes, autori i krimit kishte pirë raki me një nga viktimat, Hamit Buçin. Hani shokoi me dëshminë e tij, pasi pohoi se ndërsa babai i një prej viktimave, (Mentor Hoxhës), i kishte lënë porosi pronarit të lokalit që ta qeraste Koxhën me një gotë raki nga ana e tij. “Kujtimi ishte dy orë para ngjarjes në atë lokal. Ishte ulur bashkë me Hamit Buçin. Pak më vonë, babai i njërit prej viktimave, Mentor Hoxhës, e qerasi me një dopio raki Kujtimin dhe më pas u largua.
Aty ishin të gjithë punonjësit e bashkisë, edhe shoferët e makinave dhe varrmihës që po punonin për rrugën. Unë isha poshtë makinës (shoferi i një prej mjeteve të bashkisë) se po e shihja një defekt dhe pashë që Kujtimi po debatonte me viktimat. Dëgjova që u thoshte: “Jam unë këtu, jo ju” dhe kur iku, i ofendoi. Madje ai tha ‘do ta shihni për pak se kush jam unë’”, – tha i mbijetuari. Më tej, Hani pohoi se gjithçka ndodhi gjatë kohës që ata ishin të gjithë duke ngrenë drekë. “Koxha u largua për 20 minuta nga lokali, se aq siç duket e kishte shtëpinë larg prej aty. U fut në derë me automatik dhe një çantë në dorë. Të parin qëlloi Mentor Hoxhën dhe më pas hapi zjarr me automatik te të tjerët. Vëllai i pronarit të lokalit që ishte te banaku, pas dere, e kapi nga duart dhe i ngriti automatikun lart dhe plumbat prekën tavanin. Po mos të kishte qenë, ai do ishin 13 viktima brenda në lokal”, deklaroi 40-vjeçari Astrit Hani.
/GSH.AL/