Prag-skandali, a u përdor çështja “Babale” për përgjimin e paligjshëm të opozitës? (Faktet)

Nga Boldnews.al

Prokuroria për Krime të Rënda ka zhvilluar hetimin në çështjen e njohur si “Babale” me shkelje të shumta proceduriale, të cilat orientojnë dyshimin se veprimet proceduriale të hetuesve kanë pasur qëllimin për realizimin e përgjimit të paligjshëm të opozitës.

Ky dyshim i fortë mbështetet në dokumentat e vetë Prokurorisë, si edhe në arsyetimin logjik bazuar në ato dokumenta:

Çështja “Babale”, që në krye të herës, ka pasur 5 persona të përfshirë: Agron (Geron) Xhafaj dhe Alfred Veliu, të cilët, sipas audio-regjistrimit, diskutojnë për trafik narkotikësh; Jetmir Olldashi, gazetari që intervistoi Albert Veliun (Babalen); Ervin Salianji, deputet i Partisë Demokratike, i cili ka pasur kontakte me Veliun dhe gazetarin Olldashi për të publikuar audio-regjistrimin, për shkak se media të ndryshme nuk pranonin ta publikonin; dhe, Fredi Alizoti, i cili tashmë është e qartë që ka luajtur rolin e “aktorit” të Policisë dhe Prokurorisë për të përgënjeshtruar bisedën e regjistruar Veliu-Xhafaj.

Përveç Agron (Geron) Xhafaj, i cili u vetëdorëzua, dy ditë pas publikimit të audio-regjistrimit, tek autoritetet italiane për të vuajtur burgimin që nuk e kishte kryer deri në atë kohë, 4 personat e tjerë janë subjekte aktivë të hetimit që po zhvillon Prokuroria për Krime të Rënda.

Në bazë të një njoftimi të Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se shtetasit Veliu, Alizoti, Olldashi dhe Salianji janë marrë në cilësinë e “personit nën hetim” në datë 5 Tetor 2018, pra rreth 5 muaj pas publikimit të audio-regjistrimit.

Po sipas dokumentave zyrtarë të Prokurorisë, rezulton që shtetasit Albert Veliu, Fred Alizoti dhe Jetmir Olldashi kanë qenë nën përgjim që në muajin Maj 2018, pavarësisht se ata, zyrtarisht nuk kanë qenë nën hetim (prokuroria thotë që i ka marrë zyrtarisht nën hetim në 5 Tetor).

Pra, sipas dokumentave të Prokurorisë, 3 nga 4 personat e përfshirë konfirmohet që kanë qenë nën përgjim. Kjo situatë, nuk e përjashton aspak mundësinë që, njëlloj si Veliu, Alizoti dhe Olldashi, të ketë qenë nën përgjim edhe deputeti Salianji. Pozita proceduriale e 4 personave të përfshirë ka qenë e njëjtë që në momentin e parë të hetimit; pra, të katërt kanë qenë “persona që kanë dijeni për ngjarjen” nga muaji Maj deri në datë 5 Tetor 2018. Dhe, po ashtu, të katërt janë “persona nën hetim” që prej 5 Tetorit e në vijim.

Disa përgjime të Albert Veliut, Fredi Alizotit dhe Jetmir Olldashit, ato të cilat Prokuroria i vlerëson si “të rëndësishme për hetimin”, gjenden në dosjen që i kanë dërguar gjykatës për caktimin e masave të sigurimit.

Ndërkohë, në dosjen e Prokurorisë, nuk flitet aspak për përgjime të mundshme të telefonatave të deputetit Salianji. Me shumë mundësi, nëse do të ketë pasur në përgjim edhe deputetin, Prokuroria, nuk ka gjetur në monitorimin e bisedave të tij telefonike, “elementë të nevojshëm për hetimin” që ishin duke kryer.

Duke ndjekur këtë vijë logjike, policia, e cila zbaton urdhërin e Prokurorisë për përgjimet, ka mbajtur nën përgjim, për të paktën 5 muaj edhe deputetin Salianji. Natyrisht, në këto përgjime nuk rezulton që të ketë pasur elementë të nevojshëm për hetimin e nisur fillimisht për Agron (Geron) Xhafajn dhe që përfundoi në masën e arrestit për denoncuesin Albert Veliu.

Por, që policët që kryejnë përgjimin, të kenë arritur në përfundimin se deputeti Salianji nuk ka folur gjëra me interes për hetimin, do të thotë që kanë dëgjuar çdo lloj bisede që deputeti ka kryer me persona të tjerë, përfshirë drejtues të lartë të opozitës.

Në bazë të ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2012, përgjimi i deputetëve nuk kërkon një autorizim paraprak nga Kuvendi i Shqipërisë. Prokuroria, sidomos ajo e Krimeve të Rënda, mund të kryejë përgjimin e çdo zyrtari të lartë, kur e vlerëson se ky element mund t’i shërbejë hetimit. Në nenin 73 të Kushtetutës parashikohet që prokuroria kërkon autorizimin e Kuvendit vetëm në rastin e arrestimit të deputetëve. Çdo veprim tjetër procedurial në funksion të hetimit, ku përfshihet edhe përgjimi, organi i prokurorisë mund ta kryejë pa asnjë autorizim paraprak.

Ndaj, duke ndjekur këtë logjikë, krijohet dyshimi i fortë se, në fakt, e gjithë çështja “Babale” ka shërbyer si një mënyrë për të kamufluar përgjimin e paligjshëm mbi drejtuesit e lartë opozitarë.

Ky dyshim forcohet akoma edhe më shumë, tek fakti që hetimi për “kallëzim të rremë” është kryer nga Prokuroria për Krime të Rënda. Kjo vepër penale hetohet nga prokuroritë e rretheve gjyqësore, në rastin konkret duhet të hetohej nga Prokuroria e Tiranës.

Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, për hetimet për vepra me marzh të ulët dënimi (ku përfshihet edhe kallëzim i rremë) nuk mund të aplikohet përgjimi. Atëherë, për të realizuar qëllimin final, përgjimin e paligjshëm të zyrtarëve opozitarë, nëpërmjet bisedave që ata zhvillonin në telefon me deputetin Salianji, hetimi duhet të zhvillohej nga Prokuroria për Krime të Rënda.

Kjo e fundit, këtë rast, e ka regjistruar për veprën penale të “Trafikut të narkotikëve”, vepër e cila e përligj përgjimin. Në këtë mënyrë, prokuroria, nëpërmjet një artifice ligjore, ka përligjur përgjimet. Por, siç u pa edhe në dosjen e prokurorisë, përgjimet nuk janë kryer në asnjë rast për “trafik narkotikësh”, por për “kallëzim të rremë”, për të cilën tashmë është marrë në cilësinë e personit nën hetim edhe deputeti Salianji.

Të gjitha këto fakte, lidhur me shkeljet proceduriale të Prokurorisë, dhe arsyetimi logjik i bazuar vetëm në dokumentat zyrtarë të Prokurorisë, krijojnë bindjen se i gjithë ky hetim, në fakt ka fshehur qëllimin kryesor-përgjimin e paligjshëm të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë opozitarë.

Natyrisht, përmbajtja e këtyre përgjimeve që mund të jenë kryer në bisedat telefonike të deputetit Salianji në këto 5 muajt e fundit nuk mund të bëhen publike, pasi ato nuk duhet të kenë pasur vlerë për hetimin, përsa kohë Prokuroria për Krime të Rënda nuk i ka përfshirë në dosjen e saj.

Por bisedat opozitare, natyrisht, i shërbejnë më së miri qëllimit politik të Fatmir Xhafaj, i cili kontrollon policët e përgjimit, si edhe shefit të tij, Edi Rama. Nëse arrihet të konfirmohet diçka e tillë, natyrisht që ky do të përbënte një prej skandaleve më të mëdhenj në historinë politike dhe të drejtësisë shqiptare në 30 vitet e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *