“Banda e Qazim Sejdinit” rikthehet te Krimet e Rënda, dështon plani i Gent Osmanit për t’i liruar

Nga Boldnews.al

Vetëm 3 ditë pasi Prokuroria për Krime të Rënda vendosi të mos hetojë anëtarët e bandës së Elbasanit, Suel Çela, Enea Bekteshi dhe Klemend Xhaferri, dhe t’ia kalojë për kompetencë Prokurorisë së Elbasanit, kjo e fundit e ka rikthyer sërish dosjen në Tiranë për shkak të shkeljeve proceduriale që konstatohen në veprimet e kryera nga prokurori Gentian Osmani.

Një ping-pong procedurial ndërmjet strukturave në varësi të Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku, i cili nis me shkresën e firmosur nga zv.drejtuesi i Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, krijon të gjitha mundësitë që 3 personat e arrestuar të fitojnë shumë shpejt lirinë, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.

Pak ditë më parë, “Boldnews.al” siguroi në mënyrë ekskluzive dokumentin e nënshkruar nga Gent Osmani, me anën e të cilit njoftohej Gjykata për Krime të Rënda se nuk do të vijonin më hetimet për 3 personat e arrestuar për veprën penale të “vrasjes së punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë.

Sipas shkresës së prokurorit Osmani, hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda nuk kanë zbuluar elementë të veprës penale për të cilën 3 personat ishin arrestuar dhe ata duhet të hetoheshin vetëm për “kundërshtim të forcave të policisë”. Duke qenë se kjo vepër nuk është kompetencë e Krimeve të Rënda, sipas shkresës së Osmanit, atëherë tre personat duhet të hetoheshin nga Prokuroria e Elbasanit.

Ashtu siç ka raportuar më parë “Boldnews.al”, Prokuroria për Krime të Rënda ka kryer shkelje të rënda proceduriale në shpalljen e moskompetencës. Sipas Kodit të Procedurës Penale, ajo fillimisht duhet të vendoste pushimin e hetimeve për “vrasjen e punonjësve të policisë”, mbetur në tentativë dhe këtë vendimmarrje duhet ta konfirmonte në Gjykatën për Krime të Rënda.

Vetëm kur gjykata të pranonte pushimin e hetimeve, atëherë Prokuroria për Krime të Rënda mund të shpallte moskompetencës dhe çështjet t’ia kalonte Prokurorisë së Elbasanit. Por, shkresa, drejtuar Gjykatës për Krime të Rënda, e nënshkruar nga zv.drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Gent Osmani, zbuloi se nuk është respektuar asnjë prej aspekteve proceduriale.

Pikërisht, këto shkelje ka konstatuar së fundmi edhe Prokuroria e Elbasanit, e cila e ka rikthyer sërish dosjen tek Krimet e Rënda. “Boldnews.al” ka mësuar në mënyrë ekskluzive se drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit, me shkresën e datës 11 Tetor 2018, njofton Prokurorinë për Krime të Rënda se struktura e saj nuk mund të jetë kompetente për vijimin e hetimeve ndaj anëtarëve të bandës së drejtuar nga Sokol Sanxhaktari, për shkak se nuk janë respektuar detyrimet proceduriale për shpalljen e moskompetencës nga prokuroria e drejtuar nga Donika Prela.

Në këtë mënyrë, Prokuroria për Krime të Rënda duhet të vijojë sërish hetimet ose duhet të respektojë kërkesat proceduriale, duke iu drejtuar Gjykatës për pushimin e hetimeve për veprën penale të “vrasjes së punonjësve të policisë”, mbetur në tentativë.

Të gjithë këto ecejake proceduriale ndihmojnë 3 personat e arrestuar që të dalin të lirë, për shkak se, me veprimet e saj të dyshimta, Prokuroria nuk ka mbyllur hetimet brenda afatit 1-vjeçar.

Suel Çela, Enea Bekteshi dhe Klemend Xhaferri janë arrestuar në bazë të një hetimi të nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda në Tetor 2017. Ata dyshohen se, në shtator të vitit të kaluar, kanë tentuar të vrasin disa punonjës policie, gjatë një përplasjeje në hyrje të Tregut Ushqimor të qytetit të Elbasanit.

Në nëntor të vitit të kaluar, Prokuroria për Krime të Rënda shpalli moskompetencën për rastin, duke ia kaluar çështjen Prokurorisë së Elbasanit. Edhe në atë kohë, Krimet e Rënda nuk respektuan procedurën, duke mos e konfirmuar vendimin e pushimit në Gjykatë. Për këtë arsye, Prokuroria e Elbasanit në atë kohë kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme që të vendoste mbi konfliktin e kompetencave. Pasi u shqyrtua rasti, Prokuroria e Përgjithshme vendosi që hetimi për Suel Çelën, Enea Bekteshin e Klemend Xhaferrin të vijonte tek Krimet e Rënda.

Një vit më pas, në Tetor 2018, zv.drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Gent Osmani, njofton gjykatën se nuk do të vijojnë hetimet për “vrasjen e punonjësve të policisë”, mbetur në tentativë pranë asaj prokurorie. Shkresa e Osmanit vërteton se Prokuroria për Krime të Rënda nuk e ka respektuar procedurën, pavarësisht se, për të njëjtën shkelje, një vit më parë dosja i ishte rikthyer Prokurorisë për Krime të Rënda.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *