Presidenti zbulon trukun e ‘ligjit të ri’ për Teatrin: As garën që kërkonte BE nuk e garanton

Pas futjes në lojë të Bashkimit Europian për çështjen e “Teatrit Kombëtar”, mazhoranca bëri sikur u tërhoq nëpërmjet një truku duke pretenduar, se e ndryshoi atë pjesë të ligjit të kontestuar dhe se pas kësaj, presidenti Ilir Meta nuk kishte të drejtë që ta rikthente në parlament.

Por presidenti, i cili rrethohet nga një grup ekspertësh ligjorë profesionistë, nuk “e ka ngrënë” këtë lojë. Duke e konsideruar “ një “ligj të ri”, ai sipas kushtetutës ka kryer detyrën duke e shqyrtuar dhe pasi ka arritur në përfundim se ka shkelje të shumta e ka kthyer atë, sërish mbrapsht.

Presidenti  Meta konstaton, se mazhoranca ka tentuar që të plotësojë vetëm një prej konstatimeve të tij, atë që ligji të garantojë garë, diçka që ishte kërkuar edhe nga Bashkimi Europian. Por sipas tij, as këtë gjë nuk e ka garantuar dot mazhoranca.

“Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018, të miratuar nga Kuvendi më datë 20.09.2018, Presidenti i Republikës, ka arritur në konkluzionin se, ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi.

Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje.

Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë.

Këto konstatime e bëjnë këtë ligj të bjerë sërish ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar funksionimin e vet shtetit të së drejtës.

Në këtë mënyrë në tërësi ligji i ri nr.37, datë 20.09.2018, paraqet të njëjtat probleme kushtetuese të evidentuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij, duke e bërë atë të padekretueshëm për shpallje,” argumenton presidenti.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *