Përgjimi/ Taulant Balla arrestohet me argumentet e Prokurorisë për “Babalen”

Nga Boldnews.al

Prokuroria për Krime të Rënda ka mundësinë të arrestojë dhe të marr në akuzë Taulant Ballën e Ardi Veliun, pikërisht me të njëjtat argumenta që ajo ka justifikuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Albert Veliun, i cili denoncoi përfshirjen e Agron (Geron) Xhafaj në trafik narkotikësh.

Në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës, Prokuroria për Krime të Rënda bazon kërkesën e saj për arrestimin e denoncuesit Veliu, bazuar në disa përgjime të “aktorit” Fred Alizoti me disa persona të tjerë, në të cilat ky i fundit flet për audio-regjistrimin Albert Velliu-Geron Xhafaj si për një “situatë të sajuar”.

Prokuroria, duke e analizuar në mënyrë psikologjiko-filozofike, i ka dhënë këtyre përgjimeve vlerën e provës. Ja se çfarë thuhet konkretisht në kërkesën e Prokurorisë, pikërisht për vlerësimin e përgjimit të kryer ndaj Fred Alizotit: “Bisedat e artikuluara dhe të shpenguara të bashkëbiseduesve tregojnë se nuk kanë asnjë lloj dyshimi që po përgjohen dhe kanë një sens të pangatërrueseshëm, bisedat janë spontane. Si rrjedhojë mund të pohohet se situatat e paraqitura në përgjimet e sipërpërmendura u përgjigjen saktësisht realitetit të fakteve. Ato kanë vlerë provuese, pasi flet vetë personi. Në bindjen tonë, këto përgjime kanë vlerë të plotë provuese, janë biseda tërësisht spontane. ….”.

Këtë artikulim të Prokurorisë e krahasojmë me situatën e bisedës së regjistruar të Fred Alizotit, e cila u bë publike në emisionin “Opinion”. Alizoti i tregon bashkëbiseduesit të tij se, në 1 qershor 2018, pra në kohën kur Prokuroria për Krime të Rënda kishte nisur hetimin për vëllain e Fatmir Xhafaj, ai është marrë me makinë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe është dërguar tek Prokuroria për Krime të Rënda.

Po sipas kësaj bisede, Alizoti tregon se në ambjentet jashtë Krimetë të Rënda është takuar me një “prokuror nga Kruja, 40, 40 e ca vjeç”, si edhe më pas është ulur në kafe me deputetin socialist Taulant Balla. Në bisedën e regjistruar, Alizoti tregon se atij i janë premtuar 200 mijë euro nga Taulant Balla për të dhënë një dëshmi, në bazë të të cilës të përgënjeshtrohej dëshmia e Albert Veliut për përfshirjen e Agron (Geron) Xhafaj në trafik narkotikësh.

Kjo ishte pak a shumë thelbi i bisedës ndërmjet Fred Alizotit dhe një bashkëbiseduesi tjetër. Në bazë të këtij regjistrimi, mund të bëhet lehtësisht krahasimi me argumentin e Prokurorisë për t’i dhënë vlerë vërtetësie përgjimit telefonik që ajo ka kryer ndaj Fredi Alizotit.

Prokuroria e cilëson të vërtetë përgjimin e saj mbi Alizotin, duke deklaruar se “biseduesi nuk janë në dijeni që janë nën përgjim”, si edhe “bisedat janë sponante dhe, si të tilla, prezantojnë saktësisht realitetin”.

I njëjti argument mund dhe duhet të përdoret edhe në rastin, kur Alizoti tregon se është shoqëruar nga Ardi Veliu dhe i është premtuar 200 mijë euro nga Taulant Balla. Në pamjet e transmetuara në “Opinion”, duket qartë që Fred Alizoti është i lirshëm në bisedën e tij. Ai nuk është në dijeni që është nën regjistrim dhe gjithçka që ai ka folur ka qenë spontane gjë që, sipas terminologjisë që ka përdorur prokuroria për përgjimin e tij telefonik, “i përgjigjet saktësisht realitetit të fakteve”.
E gjithë kjo, do të thotë që, me të njëjtin argumentin, për të cilin kërkoi arrestimin e Albert Veliut, Prokuroria për Krime të Rënda të kërkojë arrestimin e dy zyrtarëve shumë të lartë shtetërorë, Taulant Balla dhe Ardi Veliu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *