Nga Boldnews.al
“Prokurori nga Kruja” që ka takuar “aktorin” Fredi Alizoti, nga akuzues, është kthyer në një të akuzuar publik, deri më tani të paktën, për shkak të hetimit skandaloz dhe politik të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka shpëtuar vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nga denoncimi për përfshirje në trafik narkotikësh.
“Prokurori nga Kruja i Krimeve të Rënda”, siç e cilëson Alizoti në një video të publikuar mbrëmjen e së Martës në emisionin “Opinion”, duket që ka pasur rol të rëndësishëm në hetimin e nisur për dyshimet mbi përfshirjen në narko-trafik të Agron (Geron) Xhafaj, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Fredi Alizoti, i cili u bë e qartë se është një ‘aktor” i investuar nga Policia e Prokuroria për të rrëzuar dyshimet mbi Agron Geron Xhafaj, ka përmendur dy emra si “emisarë” të Fatmir Xhafaj për të biseduar me “prokurorin nga Kruja”.
Alizoti përmend faktin se ai është dërguar nga shtëpia e tij në drejtim të Prokurorisë për Krime të Rënda nga Ardi Veliu, drejtori i përgjithshëm i Policisë. Gjithashtu, Veliu shprehet se, në të njëjtën kohë, në ambjentet e jashtme të Prokurorisë për Krime të Rënda, ka takuar edhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Pra, Alizoti, në videon e re të publikuar të martën në emisionin “Opinion”, ka identifikuar Taulant Ballën dhe Ardi Veliun si “emisarë” që Fatmir Xhafaj ka dërguar tek “prokurori nga Kruja”. “Boldnews.al” kreu verifikimet e saj dhe e ka identifikuar se cili është “prokurori nga Kruja”, sipas cilësimit të Fred Alizotit. Por, përsa kohë, emri i tij nuk është përmendur nga “aktori” Alizoti, redaksia ka vendosur që të mos vendosë në gojën e “dëshmitarit” emrin të cilin ai nuk e ka shprehur.
Pasi ka siguruar emrin e “prokurorit nga Kruja”, “Boldnews.al” ka mësuar gjithashtu edhe të dhëna të tjera, të cilat flasin që në drejtim të tij janë dërguar edhe disa “emisarë” të tjerë nga Fatmir Xhafaj. “Prokurori nga Kruja” mendohet se ka komunikuar me disa personazhe, të cilët janë lidhje e ngushtë e ministrit të brendshëm dhe që njëkohësisht kanë njohje të thella edhe me “prokurorin nga Kruja”.
Për të treguar një transparencë maksimale, si edhe për të dëshmuar se është i paanshëm në këtë hetim, “prokurori nga Kruja”, i cili, natyrisht e ka të qartë se për kë bëhet ky cilësim, duhet të bëjë publike tabulatet e telefonit, për të dëshmuar se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga “emisarët” e Fatmir Xhafaj.
Kjo është më e pakta që mund të bëj “prokurori nga Kruja”, i cili, nëse kolegët e tij do të kryenin një hetim të plotë dhe të pavarur, mund edhe t’i tundin prangat për shkelje flagrante të ligjit.
Procesi hetimor për vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili dyshohet se është “i korruptuar politikisht”, mund të jetë objekt shqyrtimi në një të ardhme të afërt nga Prokuroria Speciale SPAK. Ndaj, transparenca e tanishme e “prokurorit nga Kruja” mund ta ndihmojë atë që në të ardhmen të mos shndërrohet në një të akuzuar zyrtar nga kolegët e tij.