Opozita gjermane kundër Shqipërisë në BE: Bashkë me Serbinë të krijojnë ‘Unionin e Ballkanit Perëndimor’

Korrupsioni i lartë, krimi i organizuar dhe dështimi i qeverisë për të realizuar reforma të rëndësishme rrezikojnë ta drejtojnë Shqipërisë drejt një ‘plani B’, ku nuk përfshihet anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Partia më e madhe opozitare gjermane, Alternativa për Gjermaninë (AfD) është pozicionuar zyrtarisht kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi i AfD-së për çështjet e BE-së, Harald Weyel, si dhe raportuesi për Ballkanin Perëndimor, Siegbert Droese, dhanë si  shkakun kryesor për këtë vendim lidhjen e korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisë me krimin e organizuar.

“Ky model është shndërruar në modelin e qeverisjes së tyre”, tha Drose. “Nuk jemi dakord me automatizmin që qysh ne vitin 2025 të hyjnë në BE vendet e para, si për shembull, Mali i Zi ose Serbia. Kemi nevojë për më shumë kohë dhe këto vende duhet të ofrojnë diçka vetë, para se të hyjmë në negociata konkrete me to”, shtoi ai më tej.

Zyrtarët e AfD folën për një ‘plan B’ që fare mirë mund të bëhet ‘plan A’ dhe ku parashikohet që shtetet e Ballkanit Perëndimor të krijojnë një union të tyrin, që do të sillte harmonizimin e ekonomisë, heqjen e doganave, zbutjen e politikës së jashtme etj; një model i ngjashëm me Beneluksin.

“Përtej opsionit të një BE-je të madhe ekziston opsioni i një Unioni të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas modelit të shteteve të Beneluksit. Ky plan B ose C mund të ishte fare mirë plani A”, tha Weyel.

Sa i përket porpozimve të Afd, harmonizimi i ekonomisë në Ballkanin Perëndimor dhe heqja e doganave është një proces që tashmë ka nisur në shtetet tona, me të ashtuquajturën Zona Ekonomike Rajonale, e krijuar në kuadër të Procesit të Berlinit.

Zyrtarët e opozitës gjermane kanë theksuar gjithashtu se ky rajon, edhe kulturalisht është në kufi të BE-së dhe jo pjesë e saj. Në këtë aspekt është veçuar rasti i Shqipërisë, ku Weyel dhe Drose folën për ndikimin e Turqisë në vendin tonë, e manifestuar kjo në ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë, e financuar nga qeveria e presidentit Rexhep Taip Erdogan.

AfD planifikon edhe ndryshimin e procedurës për miratimin e anëtarësimit të mundshëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke e kaluar procesin nëpërmjet referendumit në Gjermani, çka rrit rrezikun e votës kundër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *