Mbrëmjen e djeshme çështja ‘Babalja’ mori një tjetër rrjedhë pas publikimit të video-përgjimit të Fredi Alizotit, i cili pranon se i është bërë një ofertë milionëshe nga Taulant Balla dhe drejtori i policisë Ardi Veliu.
Deputeti demokrat Agron Shehaj në një reagim në Facebook, shkruan se ky është një plan i qeverisë për të burgosur një deputet të opozitës dhe një gazetar.
“Për t’u mbrojtur nga akuzat e rënda për lidhjet e qeverisë me krimin, policia e Fatmir Xhafajt dhe prokuroria fabrikuan prova për të burgosur një Deputet të opozitës dhe një Gazetar.
Nëse nuk do kishte patur provë për të zbuluar fabrikimin e policisë dhe prokurorisë, sot Ervin Salianji do të ishte në burg.
Në Shqipëri është vendosur de facto diktatura, sepse vetëm në diktaturë shteti burgos kundërshtarët politikë përmes proceseve të montuara”, shkruan Shehaj, bashkangjitur video-përgjimin e Alizotit, publikuar mbrëmjen e djeshme në Opinion nga Ervin Salianji.