Nga Boldnews.al
Prokurori Gentian Osmani, i cili firmosi urdhër-arrestin për njeriun që guxoi të denonconte përfshirjen e vëllait të ministrit të Brendshëm në trafik narkotikësh, ka qenë pjesë, jo-aktive, e dosjes “Tahiri”.
Ai është një prej tre prokurorëve që u paraqitën në Parlament për të kërkuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar për bashkëpunim me narko-trafikantët Habilaj.
Për këdo që e ka parasysh paraqitjen e prokurorëve para deputetëve të Partisë Socialiste, kujton faktin që Gentian Osmani ishte i vetmi prokuror që nuk foli asnjë fjalë në mbrojtje të çështjes që kishin paraqitur para ligjvënësve.
Më tej, pasi socialistët refuzuan me votë politike arrestimin e Tahirit, Gent Osmani vijoi të ishte pjesë e grupit të prokurorëve për hetimin e kësaj çështjeje, por gjithnjë në hije. Madje, tashmë që ka kaluar rreth një vit nga nisja e hetimit për Saimir Tahirin, prokurori Gentian Osmani rezulton që është i vetmi i grupit hetimor që nuk është cënuar nga Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku.
Grupi hetimor për çështjen Tahiri-Habilaj përbëhej fillimisht nga 5 prokurorë: Besim Hajdarmataj, i cili ishte edhe drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, Gentian Osmani, Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arens Çela.
Pas marrjes së detyrës së Kryeprokurores së Përkohshme nga Arta Marku, 4 nga 5 prokurorët e kësaj dosjeje, përveç Gentian Osmanit, janë goditur fuqishëm nga shefja e tyre, e zgjedhur vetëm me votat e socialistëve.
Besim Hajdarmataj, drejtuesi i grupit hetimor të dosjes “Tahiri-Habilaj” fillimisht u shkarkua në mënyrë të paligjshme nga detyra e drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda e më pas u transferua, po në mënyrë të paligjshme në Pogradec dhe ndërkohë ndaj tij ka nisur një hetim absurd disiplinor.
Dritan Prençi dhe Vladimir Mara u përfshinë nën një hetim të nisur nga Prokuroria e Durrësit, në kohën që drejtohej nga Donika Prela. Ata dyshoheshin se kishin lejuar ekstradimin e paligshëm të financierit të Habilajve, Nezar Seitaj, ndërkohë që ai shkoi drejt Italisë me anën e firmës së paligjshme të Arta Markut dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Arenc Çela është aktualisht është nën hetim disiplinor, si pjesë e 10 prokurorëve që u përplasën dy javë më parë me drejtuesen e tyre, Donika Prela.
Ndërkohë, nga grupi prej 5 prokurorësh në dosjen “Tahiri”, vetëm Gentian Osmani nuk ka pësuar asnjë lloj kërcënimi zyrtar nga Arta Marku, duke vijuar i qetë të ruajë pozicionin e zv.drejtuesit të Krimeve të Rënda dhe prokurorit në çështjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm.
Natyrisht, duke qenë i përkëdheluri i shefeve të tij, Gentian Osmani nuk duket se e ka aspak problem që të plotësojë edhe dëshirat e tyre, një prej të cilave është pikërisht shpëtimi i Fatmir Xhafaj nga hallet me të vëllain, të cilat do i drejtoheshin edhe vetë ministrit, për shkak të ligjit “Antimafia”.