Një ‘mercenar’ amerikan në oborrin e Ramës

Nga Gentian Gaba

Në fund të muajit maj, dy javë pas pas publikimit të përgjimeve audio që më vonë u emërtua “skandali Babale”, e që i kushtuan burgun vëllait të Ministrit të Brendshëm, u nënshkrua një marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me Ernst & Young. Kompania private amerikano-gjermane e auditimit financiar, me seli në Londër, u soll në Shqipëri për të bashkëpunuar me agjencitë shqiptare kundër krimit ekonomik dhe evazionit. Siglimi i marrëveshjes nuk do të siguronte vetëm ekspertizën e rrjetit ndërkombëtarë të EY në fushën e pastrimit të parave dhe aseteve kriminale, por edhe praninë në Shqipëri të Lou Bladel, një nga drejtuesit më të njohur të FBI-së amerikane.

Njeriu që ka drejtuar çështje si ajo e Edward Snowden dhe David Petreus, ish-drejtori i CIA-s. Në vitin 2016, pas njëzet e gjashtë vitesh në shërbim të shtetit të tij, Bladel dha dorëheqjen nga FBI, dhe nisi një karrierë të re si Drejtor Ekzekutiv për hetimet e mashtrimet pranë kompanisë Ernest & Young. Prej muajit maj, dhe deri më sot, emri i Bladel dhe funksionet e tij në Shqipëri nuk kishin gjetur më jehonë. U desh rikthimi i “skandalit Babale”, për të sjellë përsëri në vëmendje të opinionit publik ish-agjentin e FBI-së.

Sipas një investigimi të kryer nga emisioni “Real Story”, i cili drejtohet nga gazetari Sokol Balla, ka qenë pikërisht Bladel që ka kryer, në dobi të Kryeministrit, hetimin për “Babalen”. Gjithmonë sipas këtij investigimi, “kreu i qeverisë ka ngritur një grup pune investigativ me ekspertë vendas dhe të huaj”. Në funksion të këtij grupi, Bladel ka braktisur rolin për të cilin autoritetet shqiptare e kishin kontraktuar kompaninë Ernest & Young (luftën kundër korrupsionit brenda saj), për t’u kthyer në drejtuesin e grupit të kundërzbulimit të Kryeministrit. Burimet e “Real Story” flasin për “një angazhimi vullnetar të këtij grupi ekspertësh shqiptarë dhe te huaj për te verifikuar akuzat e renda qe hidhen nga opozita ose media kritike me qeverinë, ndaj zyrtarëve të lartë, përtej retorikes politike, por si fakte. A janë te vërteta akuzat publike ndaj Ramës, Ballës, Xhafës, Gjiknurit, Ahmetajt, Dakos, Sejdinit? Ky grup duket se po grumbullon për këto akuza përgjigjet. Përfshirë edhe çështjet Babale dhe Xhisiela Maloku.”

Në editorialin e Real Story hidhen dyshime, sigurisht të ngjizura nga burimet që mund të kenë për qëllim edhe vetë krijmin e dyshimeve ose futjen e tyre në debatin publik, se opozita po ndihmohet në këtë fushatë nga elementë brenda SHISH: “Ekspertët i kanë pohuar Kryeministrit se ‘çështja Babale’ është çuar në tryezën e opozitës nga ata që vetë Edi Rama në reagime të mëvonshme i ka quajtur si ‘skuta të errëta të shtetit’. Sipas burimeve, grupi i ekspertëve thuhet se ka vënë në tavolinën e Kryeministrit, fakte që çojnë ne dyshimin e arsyeshëm se këto skuta fshihen në pushtetin gjyqësor. A janë ata gjykatës, apo prokurorë? A është vettingu arsyeja e ‘hakmarrjes’ së këtyre njerëzve apo ish-njerëzve të drejtësisë, jo thjesht ndaj qeverisë, por ndaj njeriut direkt përgjegjës të mazhorances për reformën në drejtësi? Një prej pistave të tjera ku grupi i ekspertëve pranë Kryeministrit ka rënë në gjurmë të korrozionit të hallkave të pushtetit me opozitën, në këtë plan të koordinuar, sipas burimeve, për të goditur mazhorancën, janë përfshirë edhe segmente të larta drejtuese të kupolës së shërbimeve sekrete, besnike ndaj qeverisë së vjetër”.

Këto qëndrime, në dukje të shkëputura nga ndonjë vepër e John Le Carré, ku bashkë me dyshimet, ngrihet edhe alibia se Rama është në shënjestër si përgjegjës i reformës në drejtësi (në fakt një projekt i SHBA dhe BE-së), nëse një ditë do të konfirmohen, do të jenë dëshmia e një lufte me mjete të tjera midis mazhorancës dhe opozitës. Ku krijimi i institucioneve paralele të hetimit, pa asnjë bazë ligjore, për të zbuluar “grupet armiqësore antiparti”, është një kthim në periudhat më të errëta të historisë sonë. Ky grup kundërzbulimi, i drejtuar nga një “mercenar” në oborrin e Kryeministrit, i financiuar nga taksapaguesit për të zhvilluar hetime, jo në dobi të interesit publik, por të mbijetesës politike të një përfaqësie të vogël të mazhorancës, i jep trajta krejt autoritare një qeverie që prej kohësh vepron pa kurrëfarë balancash midis pushteteve.

“Po bëjmë shtet”- thotë Rama. Po, shtetin e tij!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *