Greqi, hetim mbi menaxhimin e 1,6 mld euro të dhëna nga BE për refugjatët

Në Greqi gjykata e lartë ka urdhëruar fillimin e hetimeve, pas publikimeve për keqmenaxhim të fondeve europiane për refugjatët.

Ky urdhër u dha pasi një nga gazetat opozitare, “Philelefteros”, botoi një shkrim sipas të cilit biznesmenë – miq të ministrit të mbrojtjes Kammenos, kanë “fryrë” faturat e shërbimeve në kampet e refugjatëve.

Ministri i Mbrojtjes reagoi ndaj shkrimit duke paditur botuesin, kryeredaktorin dhe autoren e shkrimit, të cilët u mbajtën për disa orë në polici. Ky akt shkaktoi reagime të fuqishme brenda dhe jashtë Greqisë.

Kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, i cilësoi gjithë këto zhvillime si “një turp kombëtar”, duke ia hedhur përgjegjësinë ekskluzivisht qeverisë Tsipras.

Por qeveria u përgjigj duke thënë se nuk ka asnjë keqmenaxhim dhe se gjithçka u bë me transparencë dhe procedura ligjore. Nga ana tjetër, akuzoi opozitën se investon në gënjeshtra dhe në shpifje.

Por në lojë tashmë ka hyrë edhe agjencia europiane kundër mashtrimit (OLAF).  Para pak ditësh, Parlamenti Europian njoftoi se kishte pezulluar shefin e zyrës ndërlidhëse në Greqi dhe dy bashkëpunëtorë të tij.

“Kontrolli buxhetor ka nisur të ngrejë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e disa transaksioneve të caktuara. Parlamenti Europian ka nisur një hetim të brendshëm dhe e ka cilësuar të nevojshëm t’i drejtohej OLAF-it”, sqaroi një zëdhënëse e parlamentit.

Siç është konfirmuar zyrtarisht nga Brukseli, Greqia ka marrë nga viti 2015 deri më sot fonde me vlerë të përgjithshme 1,6 miliardë euro, në kuadër të krizës së refugjatëve.

Por kushtet e jetesës në kampet e krijuara enkas vazhdojnë të jenë tepër të këqija, duke shkaktuar jo rrallë revolta të dhunshme nga vetë refugjatët.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *