Nga Boldnews.al
Vendimi i prokurorit Gentian Osmani për arrestimin e dëshmitarit që denoncoi përfshirjen në trafiqe të vëllait të ministrit të Brendshëm është tragjik, por aspak surprizë. Hetimet për këtë rast u paracaktuan nga kryeministri Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, që në orët e para pas publikimit të audio-përgjimit.
I pari që reagoi në mbrojtje të Geron Xhafaj ishte kryeministri. Në një mbledhje me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, vetëm një ditë pas publikimit të audio-përgjimit që implikonte vëllain e ministrit të brendshëm në trafik narkotikësh, Rama u shpreh:“Kam kërkuar ekspertizën shkrencore dhe rezulton se audio nuk është autentike, por një akt mashtrimi. Ajo nuk përbën provë kompromentuese”.
Kjo deklaratë e tij ishte thirrja për kushtrim e të gjithëve që janë poshtë Ramës që të dalin në mbrojtje të Geron (Agron Xhafaj). I pari, natyrisht, ishte Taulant Balla, i cili që prej fillimit e në vijim, e ktheu në shprehje personale të tijën termin “Babale”, duke iu referuar denoncuesit të Agron Xhafajt, shtetasit Albert Veliu.
Nuk qëndroi heshtur as i prekuri në mënyrë të drejtëpërdrejtë, Fatmir Xhafaj. Edhe ky, ashtu si shefat e tij politikë, e kishte të sigurt se gjithçka ishte e sajuar, pavarësisht se hetimi nuk kishte nisur ende formalisht nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda.
Tashmë, pas 5 muajsh hetime, kur prokuroria e Donika Prelës, me firmën e prokurorit Gentian Osmani ia hoqi njollën Agron Xhafaj, konstatohet qartë se gjithçka është paracaktuar nga treshja kryesore e Partisë Socialiste.
Natyrisht, në ndihmë të tyre ka ardhur edhe Kryeprokurorja e Përkohshme, e zgjedhur vetëm me votat e socialistëve, e cila dukshëm ka orientuar hetimet e këtij rasti drejt denoncuesit dhe jo trafikantit.
Porosia politike për Arta Markun është zbatuar në mënyrë “korrekte” nga Donika Prela, e cila ka angazhuar vartësin e saj besnik, Gentian Osmani, që të zbulojë krimin tek denoncuesi.