Sa e shiti lëkurën prokurori Gentian Osmani

Nga Boldnews.al

Gentian Osmani, zv.drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, ka shënuar mesditën e së Shtunës emrin e tij në listën e errët si prokurori që ka kërkuar masë sigurimi për një gazetar në 25 vitet e fundit, në vijim të një hetimi të korruptuar politikisht, por jo vetëm.

Osmani, i cili udhëhoqi hetimin për dyshimet e përfshirjes në trafik narkotikësh të Agron Xhafaj, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka vendosur që të arrestojë denoncuesit e skandalit dhe jo personat e përfshirë në grup kriminal. Prokurori Osmani ka kërkuar nga gjykata për Krime të Rënda arrestimin e dëshmitarit Albert Veliu, një familjari të tij, Fred Alizoti, si edhe ka kërkuar masën “detyrim paraqitje” për gazetarin Jetmir Olldashi, të dyshuar, sipas prokurorisë për “kallëzim të rremë”.

Në këtë mënyrë, Gentian Osmani i hoqi një telash të madh ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe u shndërrua në një “figurinë” në duart e tij, duke kërkuar arrestimin e denoncuesve dhe duke mos zhvilluar asnjë hetim lidhur me përfshirjen në trafik narkotikësh të Agron (Geron) Xhafaj.

Gentian Osmani, i cili ka më shumë se një vit e gjysëm si zv.drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, i rezistoi ndryshimeve të shumta në organin e Akuzës. Me ardhjen e Donika Prelës në krye të Krimeve të Rënda, ai u shndërrua në njeriun e saj më të besuar, duke marrë përsipër hetimet që shqetësojnë maxhorancën dhe titullaret e tij, Donika Prela dhe Arta Marku.

Gjithashtu, Osmani është edhe kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP). Ai u konfirmua në detyrë, pavarësisht se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) konstatoi një seri problematikash gjatë procesit të rivlerësimit. Kolegë të tij tek Krimet e Rënda e kanë shprehur prej kohësh dyshimin e tyre se Osmani është konfirmuar në detyrë, vetëm falë ndërhyrjes së Fatmir Xhafaj, në këmbim të mos-hetimit të vëllait të tij, Agronit.

Gjithashtu, të njëjtat burime deklarojnë se prokurori Osmani ka marrë garanci nga Fatmir Xhafaj për të mos pasur probleme të mëtejshme me Vetingun, pavarësisht se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka shprehur mos-dakordësinë që ai të vijonte detyrën e prokurorit.

Shërbimi në favor të Xhafaj, me shumë mundësi, pritet t’i japë prokurorit Osmani edhe një bonus tjetër, atë të konfirmimit në detyrë edhe të bashkëshortes së tij, e cila është gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.

Pas kaq shumë premtimesh, deklarojnë burimet, Gentian Osmani i është borxhli Fatmir Xhafaj dhe mbyllja e hetimit për vëllain e tij, të përfshirë në trafiqe, është më e pakta që mund të bënte prokurori.

Prokurori Osmani rrezikonte shumë gjatë procesit të Vetingut, pasi një seri raportesh të Shërbimit Informativ Shtetëror e vendosin atë në situata korruptive, sidomos gjatë kohës që ka qenë drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Por, “dora e ngrohtë” e Fatmir Xhafaj duket që ia ka hequr këto “njolla” prokurorit që duhet të hetonte vëllain e ministrit.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *