Një video e Presidentit amerikan Donald Trump është bërë virale, pasi ai shfaqet teksa del nga një limuzinë, për të nisur ngjitjen e shkallëve të avionit presidencial në Aeroportin ndërkombëtar “Saint Paul” të Minneapolisit. Por ajo që bie në sy është një copë letre tualeti, e ngjitur në këpucën e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Siç raportojnë mediat amerikane teksa Trump mbërriti në krye të shkallëve, presidenti, dukshëm i pavëmendshëm, u kthye për të përshëndetur me dorë shoqëruesit e tij.
Një analiste politike e CNN-it, Ana Navarro postoi klipin në rrjetin social, duke e shoqëruar me fjalinë “Ta nisësh ditën me diçka lehtësuese për të qeshur”. Po të njëjtën gjë bëri edhe bashkautorja e “The View”, Abby Huntsman, edhe pse kjo e fundit tregoi disi simpati për presidentin.