Media e Carlo Bollinos vjedh fotot ekskluzive të Boldnews

Nga Boldnews.al

Ngjarjet e rënda kriminale, krahas dramacitetit të tyre, nxisin edhe garën mediatike për raportimin sa më të shpejtë të detajeve që ngacmojnë interesin e publikut. Një e tillë është edhe atentati me 1 të vdekur e tre të plagosur, ndodhur mbrëmjen e së Enjtes në qendër të ish-bllokut, në Tiranë.

Reporterët e terrenit u angazhuan që të sigurojnë sa më shumë detaje, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, personat e përfshirë, të shkuarën e tyre, personazhet e njohur. Por kjo garë, e cila më shumë zhvillohet në redaksitë e lajmeve se sa në terren, krijon edhe situata qesharake. Një rast konkret është media e Carlo Bollinos, “Shqiptarja.com”, e cila e ka përfshirë veten në një skenar grotesk.

Ja si qëndrojnë faktet:
“Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive foton e Ervin Mata, një prej personave të shpallur në kërkim nga Policia. Ky person ka qenë një prej tipave misteriozë në Tiranë, pasi, pavarësisht se në lidhje dy-vjeçare me këngëtaren e mirënjohur Elvana Gjata, askush nuk i kishte një foto.

Pas ngjarjes së rëndë, e cila, sipas versionit të deritanishëm të Policisë, dyshohet se ka ndodhur për shkak të ngacmimit që i është bërë Elvana Gjatës nga viktima Fabio Rexha, mik i Ervis Martinit, media nisi kërkimet e saj për të zbuluar një foto të Ervin Matas.

“Boldnews.al” arriti ta sigurojë foton e tij mesditën e së Premtes dhe e publikoi, natyrisht duke i vendosur logon e redaksisë. Kjo foto, në një kohë shumë të shpejtë, u publikua në shumë media on-line, të cilat, në respekt të punës së kolegëve, e përdorën duke mos e cënuar logon “Boldnews.al”.

E vetmja që bëri “diferencën” ishte media e Bollinos. Siç shihet edhe nga fotot që shoqërojnë këtë shkrim, “Shqiptarja.com” ka marrë foton e publikuar nga “Bold…”, i ka fshirë logon dhe më pas ka ndërhyrë në foto, duke i vendosur logon “shqiptarja.com”.

Por ky përpunim, i realizuar nga media e Bollinos, është aq i dobët, sa fytyra e Ervin Mata ka ndryshuar aq shumë, sa, me mundësi të mëdha, as njerëzit e tij më të afërt nuk do ta njihnin.

“Boldnews.al” ka identifikuar ndërhyrjet e realizuara nga “Shqiptarja.com”, duke i krahasuar me foton origjinale të publikuar nga redaksia jonë. Mjafton që publiku të fokusohet tek diferenca ndërmjet fotove tek elementë si veshët, buzët, sytë, qafa…pra, thuajsenë të gjithë tiparet e personit, për të dalluar se sa dobët dhe pa takt ka vepruar redaksia e Bollinos.

Kjo situatë merr nota serioze, kur mbahet në vëmendje se Carlo Bollino e konsideron veten si një prej promotorëve të lajmeve të vërteta (anti Fake-News) dhe të gazetarisë së pastër. “Nga e thëna në të bërë, është një det i tërë”, është një shprehje shqiptare.

“Boldnews.al”, duke parë këtë përçudnim të fotos dhe, sidomos vjedhje të saj, është e gatshme që t’ia vendosë në dispozicion origjinalin Carlo Bollinos, mjafton që ai vetëm ta kërkojë diçka të tillë.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *