Nga Boldnews.al
Ngjante një mbrëmje e qetë, po në një nga lokalet e Tiranës në zonën e ish-Bllokut plumbat u bënë zotër të një masakre me një të vrarë dhe tre të plagosur. Tre emra të njohur të përfshirë në sulmin me armë.Njëra është këngëtarja Elvana Gjata, që u gjet “gabimisht” mes disa burrave sedërlinj, të pushtetshëm dhe dhunshëm, ndërsa dy të tjerët një biznesmen dhe një personazh i dyshuar për disa ngjarje të rënda të ndodhura në kryeqytet.
Përfundimi ishte 11 plumba të qitur ndaj njëri-tjetrit që la të vrarë Fabiol Gaxhën, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj, Eljon Haton dhe pronarin mori lëndime edhe pronari I lokalit. Dyshohet se shkaku i sherrit ka qenë një ngacmimim nga ana e grupit të drejtuar nga Ervis Martinaj ndaj këngëtares së njohur Elvana Gjata.
Ajo ka qenë nën shoqërinë e të dashurit të saj dhe në atë çast situata ka degraduar në një konflikt që do mbyllej me jetë të humbur dhe të plagosur. Një prej personave të akuzuar tashmë si autor i krimit është i njohur i këngëtares që ka shërbyer si efektiv i Forcave Komando të ushtrisë sonë.
Gjata është marrë në pyetje paraditen e sotme në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të dhënë sqarim mbi rrethanat e krimit. Deri më tani duket se ka qenë një konflikt momental për “motive të dobëta”, por duke marrë të shkuarën e personave të përfshirë në konflikt, lindin shumë dyshime të tjera mbi motivet.
Një nga personat që mbeti i plagosur Ervis Martinaj është një personazh mjaft i njohur për strukturat e rendit, i dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale, por sërish shëtiste i lirë. emir i tij do të regjistrohej në skedat e policisë në tetorin e vitit 2013.
Ai ishte pronar i disa pikave të lojërave të fatit, kryesisht kazino dhe lotari sportive. Gjatë aksionit të policisë, më 20 tetor të vitit 2013, Ervis Martinaj u akuzua se kërcënoi shefin e repartit special “Shqiponja” në drejtorinë e policisë së Tiranës, Engjëllush Avdulaj. Sapo efektivët e repartit “Shqiponja” dhe komisariati numër 3, i Tiranës kishin sekuestruar rreth 400 makineri lojërash fati dhe 25 makina luksoze në një magazinë të Ervis Martinajt, ai e merr në telefon shefin e repartit, komisar Engjëllush Avdulajn dhe e kërcënon se do ta eliminojë.
Komisari Avdulaj ka bërë kallëzim penal për këtë rast. Ai e ka denoncuar Ervis Martinajn për kanosje me jetë për shkak të detyrës në komisariatin numër 2. Ky aksion u kthye nga “Fundi i Marrëzisë” në marrëzi pa fund, pasi pasoi me krime të rënda dhe lulëzimin e lojërave të fatit edhe më shumë, duke u përqëndruar në pak duar.
Menjëherë pas aksionit “Fundi i Marrëzisë” ekzekutohet me armë zjarri në zonën e Komunës së Paristit Elvis Doçi. Dyshohej se Doçi i kishte shitur disa makineri kazinoje Martinajt, vetëm një muaj para se të niste operacioni i madh policor për bllokimin e tyre.
Partia Demokratike në atë kohë shigjetoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se kishte lidhje me Doçin dhe se mund të ishte përfshirë në tregun e lojërave të fatit. Prokuroria nisi hetimet mbi vrasjen e biznesmenit Doçi, por për shkak të mungesës së provave dosja kaloi nga institucioni i akuzës në strukturat e policisë për plotësim.
Që nga ajo kohë Ervis Martinaj ishte në listën e personave të kërkuar, por duket se ka bërë një jetë të qetë, pa u shqetësuar nga efektivët policor, ndërsa mbrëmjen e djeshme u bë shënjestër e një atentati me armë.