Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama ka hapur jo vetëm thesin e dhuratave në prag fushate, por edhe siparin e një propagande të ulët, duke përdorur edhe bebet që janë në barkun e nënës.
“Nga 1 janari i vitit të ardhshëm fëmija i parë i një çifti do të marri 8-fishin e kontributit dhe bonusit, 400 mijë lekë (të vjetra); fëmija i dytë do të marri 16-fishin, 800 mijë lekë dhe fëmija i tretë 24-fishin, 1 milionë e 200 mijë lekë”- tha Rama. Këtë lajmërim kryeministri e bëri gjithë pompozitet, pasi premtoi se do rriten pagat e mësuesve, të punonjësve të sistemit arsimor dhe ushtarakëve.
Kreu i qeverisë do rrisë bonuset për të sapolindurit, por të rinjtë që priten të bëhen së shpejti prindër, nuk duhet të gëzohen shumë nga “shpërblimi” prej 40 mijë lekësh. E gjithë kjo “vlerë e rritur”, të ikën pa dalë nga dera e maternitetit. Mjeku ose mjekja gjinekologe bakshishin e ka gati standart. Me një lidnje normale qejfi do i bëhet me 20-30 mijë lekë të reja. Më pas 5 mijë lekë je me “turp” nëse nuk ia jap mamisë që të pret bebin dhe disa shuma të tjera më të vogla të shkojnë për shërbimin që do marrë nëna e bebi.
Në fund ai 40 mijë lekësh për beben ka përfunduar në duart e stafit mjekësor dhe kur të zbresësh shkallët nga materniteti asnjë qindarkë nuk ka mbetur nga “dhurata qeveritare”.
Deri më tani çdo fëmijë që vinte në jetë kishte një “bonus” prej 50 mijë lekësh të vjetra, por me “zemërgjerësinë” e kryeministrit shifrat do të rriten. Ngjan si një politikë për të shtuar lindshmërinë, rregulluar raportin e popullsisë që nga viti në vit po plaket, por asnjë nga këto nuk janë të besueshme.
Vendit në pesë vite qeverisje të Ramës i kanë ikur 300 mijë shqiptarë, duke kërkuar azil në vendet e BE-së. Politika e kryeministrit Rama për të rritur “lindshmërinë”, i ngjan projektit të vjetër t ëish-qeverisë komuniste, ku nënat me shumë fëmijë shpalleshin heroina dhe si “bonusë” nëse do jetonin në fshat u jepej një lopë, ndërsa në qytete merrte një shumë të hollash.