Qytetarët që ndryshojnë banesë dhe nuk e deklarojnë atë do t’i shpëtojnë gjobës për 6 muaj. Sipas një projektligji të ri të dërguar në Kuvend, parashikohet ndryshimi i masës së gjobës për banorët që ndryshojnë banesë dhe nuk e deklarojnë brenda 6 muajve.
Në nenin 11, të projektligjit, është parashikuar një dispozitë kalimtare, me qëllim pezullimin e masës së gjobës për një periudhë prej 6 muajsh, e cila, aktualisht, aplikohet ndaj shtetasve që nuk deklarojnë ndryshimin e vendbanimit, brenda afateve ligjore.
“Vlera e gjobës, e cila u rrit ndjeshëm me ndryshimet ligjore të ligjit për gjendjen civile, në vitin 2016, nuk solli efektet e pritshme në ndërgjegjësimin e shtetasve për deklarimin e ndryshimit të vendbanimit. Pezullimi për gjashtë muaj i aplikimit të kësaj mase administrative konsiderohet një mundësi, shtysë tjetër për ndërgjegjësimin e atyre shtetasve që nuk kanë deklaruar vendbanimin aktual, përmendim këtu shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk kanë pasur informacionin e duhur për detyrimin ligjor të deklarimit të vendbanimit.”- thuhet në relacionin që shoqëron pr.ligjin.
Në vitin 2016 u vendos që banorët që ndryshojnë banesën kanë detyrim ligjor deklarimin e tyre pranë gjendjes civile përkatëse, ndryshe masa e gjobës për mosdeklarim do të ishte 10 mijë lekë.