Karriera e Zv.Prokurorit të Përgjithshëm amerikan, Rod Rosenstein, që sipas mediave kishte diskutuar gjatë një takimi mundësinë e përgjimit të bisedave me Presidentin Donald Trump dhe mundësinë e largimit të tij nga posti, është tani e paqartë.
Sidoqoftë, një burim që kishte qenë në dhomë gjatë takimit kur Rosenstein supozohet se ka bërë komentet, tha për Zërin e Amerikës se komenti ishte bërë, por me ironi dhe nuk ishte diskutuar asnjëherë me qëllim që të regjistrohej një bisedë me Presidentin.
Sipas “New York Times”, Rosenstein i kishte bërë këto komente pranverën e vitit të shkuar, gjatë tensioneve të krijuara pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey. Ndërsa “Washington Post” përmend si burim të lajmit shënimet e mbajtura në atë kohë nga drejtori në detyrë i FBI-së, Andreë McCabe. Ky i fundit u shkarkua në fillim të këtij viti dhe një juri po shqyrton mundësinë e ngritjes së akuzave kundër tij për mashtrim të hetuesve dhe rrjedhje informacioni kur ai punonte në Departamentin e Drejtësisë.
Sipas avokatit të McCabe, shënimet iu dorëzuan prokurorit të posaçëm, Mueller, një vit më parë dhe një kopje mbeti në posedim të FBI-së, por nuk dihet se si shënimet kanë përfunduar në duart e medias.