Grupet parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë depozituar kallëzim penal ndaj Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.
Në dokumentin e padisë që disponon Top Channel, PD dhe LSI i drejtohen Prokurorisë së Tiranës, duke theksuar se “lëvizjet kaotike dhe me urdhër politik të prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, pa asnjë plan të mirëfilltë organizimi dhe që kanë sjell dështimin e të gjitha çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike, janë veprime të kundërligjshme, që prekin drejtpërdrejtë interesin e shtetit dhe të shtetasve”.
Përmes kësaj padie, opozita akuzon kryeprokuroren Arta Marku se ka vendosur të shpërbëjë tërësisht grupin e prokurorëve të çështjes penale ndaj ish-ministrit Tahiri, duke ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj tij.
Padia e opozitës i referohet edhe çështjes Shullazi, për të cilën theksohet se Prokuroria ka dështuar të përfaqësojë akuzën dhe shtetin në gjykim e për këtë përsëri bëhet fajtore kryeprokurorja Marku.