Dhuna ndaj biznesmenit në mesnatë, ja çfarë dëshmoi para policisë pronari i ‘Big Bite’

Biznesmeni Andrea Zoga, i cili u dhunua mbrëmjen e djeshme (18 shtator) ka dhënë dëshminë e tij para policise. Sipas tij tre persona të panjohur e kanë goditur me grushta, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Policia e kryeqytetit sqaron se kallëzimi nga biznesmeni është bërë ditën e sotme (19 shtator), në ambientet e Spitalit të Traumës, ku ai po merrte trajtim.

“Më datë 19.09.2018, në ambientet e Spitalit të Traumës nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr.2, i është marrë kallzim shtetasit A. Z., banues në Tiranë, i cili ka kallzuar se më datë 18.09.2018, rreth orës 23:30, në hyrje të një kompleksi pallatesh në rrugën “Medar Shtylla”, tre persona të panjohur e kanë goditur me grushta duke i shkaktuar dëmtime fizike”, sqaroi policia në njoftimin zyrtar.

Ndërkohë punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe janë kryer veprimet proceduriale përkatëse dhe materialet do ti referohen për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje e kryer në bashkëpunim”.

Para gazetarëve ai tha se kanë qenë 6 persona që e kanë dhunuar në mënyrë barbare.

Zoga: Dallova vetëm dy persona me kapele që kishin ulur kokën dhe po drejtoheshin drejt meje për të mos i njohur. Njëri më godet nga mbrapa dhe tjetri nga para dhe më pas katër veta të tjerë dalin nga makina duke më goditur në mënyrën më makabre poshtë kameras së një banke. Kam bërë denoncimin në polici, tek kryeministri.Kërkoj që drejtësia të shkojë në vend, kërkoj nga prokuroria të marrë masa në mënyrë të menjëhershme për këto banda.

Biznesmeni Zoga “pagoi” për konfliktin e të vëllait: Shteti të merret me këto banda!

Një konflikt i mëparshëm i vëllait të tij me disa persona të tjerë dyshohet të ketë qenë shkak i dhunimit të biznesmenit Andrea Zoga.

Të paktën këtë la të kuptohet ai në një pronocim për gazetarët nga spitali i Traumës në Tiranë ku po merr mjekim.

Andrea Zoga, pronari i rrjetit të Fast Food-eve Big Bite, tha se çështjen e ka çuar në prokurori dhe është mbyllur një muaj më parë për mungesë provash.

Zoga: Pa pasur asnjë lloj konflikti, debati. Vëllai ka konflikt me persona të tjera. Bëhet fjalë për një konflikt për pronën. Mbi këtë pronë është ndërtuar pallat dhe i vëllai ka detyrim ndaj këtyre personave. Jam kërcënuar dhe më parë. Çështjen e kam çuar në prokurori që nuk jam në dijeni dhe i përgjegjshëm për këtë çështje. Prokurori Julian Zonja e mbyll çështjen pa e hapur fare pasi nuk gjen prova.Sot një muaj pasi është mbyllur çështja të del një bandë që të masakron në mes të rrugës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *