Nga Boldnews.al
Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, i dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i arrestuar në vitin 2015 gjatë operacionit “Xibraka” ka fituar lirinë ditët e fundit, pavarësisht se ishte dënuar me 10 vjet burgim.
Ermal Hoxha fillimisht përfitoi ulje dënimi, për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe më tej u lirua para kohe, për shkak të sjelljes së mirë në burg. Ai ishte pjesë e një organizate kriminale, e cila përpunonte dhe trafikonte kokainë nga Amerika Latine, në Shqipëri e më tej në Gjermani.
Ky grup u arrestua në 14 janar 2015, ku iu zbulua edhe një laborator i sofistikuar për përpunimin e kokainës, ngritur në zonën e Xibrakës, në Elbasan.
“Boldnews.al” ka siguruar, në mënyrë ekskluzive, rolin e Ermal Hoxhës në grupin “Xibraka”, ku gjenden vëzhgime dhe përgjime të tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, të realizuar një ditë para dhe ditën e arrestimit të tyre (në datat 13014 janar 2015).
Në vijim është pjesë nga dosja hetimore:
“… Ilir Hyseni, përdorues i numrit xxxx575, kishte kontakte edhe me shtetasin Ermal Hoxha, përdorues i numrit celular xxxx 949. Në këto kushte policia gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të shtetasve Ilir Hyseni dhe Ermal Hoxha, deri sa në datën 13.1.2015, u zbulua se këta shtetas udhëtuan nga Tirana për në ish-magazinat e rezervave shtetërore në Xibrakë të Elbasanit. Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se përveç Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, aty kishin akses edhe Kelmend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, i cili banonte brenda rrethimit në një nga godinat afër magazinës, Gentian Gjonaj dhe Sajmir Batku.
Nga përgjimet telefonike provohet se personat e mësipërm kanë pasur komunikime të shpeshta me njëri tjetrin. Gentian Gjonaj rezultoi të ishte përdorues i numrave celularë xxxx 189 dhe xxxx 189, Arjan Dalipi përdorues i numrit xxxxx 975, Kelmend Dalipi përdorues i numrit xxxx645 dhe Sajmir Batku përdorues i numrit celular xxxx 365. Të pandehurit komunikonin mes tyre për vajtjet në Elbasan dhe lëvizjet e tjera që kryenin. Nga vëzhgimet u konstatua se edhe dy shtetas të huaj, të cilët më pas rezultuan të ishin kolumbianë, të pandehurit Cesar Avila dhe Ëalther Moren Moreno, kishin akses në ambientin e sipërcituar.
Nga vëzhgimet e datës 13.1.2015, rezulton se Ermal Hoxha, me automjetin e tij Volvo me targë AA 258 KO në orën 10.40 ka mbërritur në Elbasan. Në orën 10.30 ka hyrë tek magazinat në Xibrakë, prej ku ka dalë në orën 10.45, së bashku me dy persona të tjerë (që u identifikuan më pas si Cesar Avila dhe Valther Moreno) dhe është nisur drejt Tiranës. Nga përgjimet telefonike të numrit celular në përdorim të Ermal Hoxhës, rezulton se për marrjen e dy kolumbianëve në Elbasan ai kontakton të pandehurin Genci Xhixha, përdorues i numrit xxxx 888, pasi ky i fundit do i takonte ata në Tiranë.
Në orën 10.54, nga numri xxxx 949, Ermali telefonon Gencin në numrin xxxx 888. Ermali, që ishte nisur ndërkohë nga Elbasani, i thotë se vjen për 40 min dhe e pyet nëse do ta takojë dikë që ai e kishte me vete (duke nënkuptuar shtetasit kolumbianë). Në orën 11.33 Genci i telefonon Ermalit. Në bisedë Genci i kërkon që të ngjitet lart (në shtëpi), të zbresi çantat dhe të ikin pasi do lëvizin shpejt. Nga vëzhgimet rezulton se në orën 11.40, Ermali i ka çuar dy personat në një pallat në rrugën Milto Tutulani, dhe të tre, duke mbajtur dy çanta dore, janë ngjitur tek kati i dytë i pallatit, prej ku kanë zbritur në orën 11.45. Në orën 11.48, Ermali së bashku me dy kolumbianët, ka ndaluar tek kafe Gold në rrugën “Komuna e Parisit”, ku kanë takuar Gentian Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Më pas kanë shkuar të hanë drekë tek restoranti “Peshku i egër”.
Nga vëzhgimet rezulton se në 12.50, automjeti Volksëagen Sharon, AA 483 DD i përdorur nga Ilir Hyseni, hyn në ambientet e magazinës në Xibrakë së bashku me Sajmir Batkun, ku takojnë Arjan Dalipin. Në 13.10 Sajmiri ka nxjerrë një makinë Jeep nga kapanoni, me targë TR 5351 T. Në orën 13.23, Ilir Hyesni ka dalë nga magazina, ndërkohë që Sajmiri ka dalë në orën 13.27 dhe kanë lëvizur drejt Tiranës. Pasi janë larguar dy personat e sipërcituar, Arjani ka hyrë në kapanonin me llamarina, ku ndodhej laboratori.
Edhe në mëngjesin e datës 14.1.2015, Ermali ka komunikuar me Gencin për transportimin e dy personave për në Elbasan. Genci, i cili flet nga një numër tjetër, i kërkon që t’u bëjë telefon atyre shokëve se ai do shkonte t’i merrte për gjysëm ore. Ermali i thotë që nuk ka kontakt me ata të dy (kolumbianët), por me Balin, siç thërritet Iliri nga bashkëpunëtorët e tjerë. Atëherë Genci i kërkon që t’i thotë Iliri. Në orën 8.10, nga numri xxxx 949, Ermali telefonon Ilirin në numrin xxxx 575 dhe i kërkon të lajmërojë ata të dy (kolumbianët), se për gjysëm ore do vinte t’i merrte ai shoku (Genci).
Në orën 8.15, nga numri xxxx 575, Iliri telefonon Ermalin në numrin xxxx 949, dhe i thotë se ata (kolumbianët) janë gati. Në orën 8.57, nga numri xxxxx 888, Genci telefonon Ermalin në numrin xxxxx 949. Në bisedë i thotë se do shkojë në Shkodër, ndërkohë që në fakt niset niset drejt Elbasanit. Duket qartë se Shkodra përdoret si emër i koduar në vend të Elbasanit. Të njëjtin kod përdor Ermali, teksa në bisedën e datës 13.1.2015, ora 10.54, i thotë Gencit se kishte ikur gjer në Shkodër dhe po vinte, ndërkohë që në fakt po kthehej nga Elbasani me dy kolumbianët.
Në orën 9.05, Genci i kërkon në telefon Ermalit që të lidhet me vëllanë e Klemit (shkurtim i Kelmend Dalipit) që të dalë tek vendi ku janë takuar herën e fundit. Në orën 9.08, nga numri xxxx 949, Ermali telefonon Arjanin në numrin 069 57 21 975. Ermali i kërkon Arjanit të dalë tek kafja ku ka qenë Klemi me një person të thirrur Daku dhe atë të shëndoshin (duke nënkuptuar Gencin). Arjani i thotë që ishte andej (duke nënkuptuar magazinën) dhe nuk mund të lëvizte pasi nuk kishte njeri. Atëherë Ermali i kërkon që Klemi të dalë tek kafja ku qenë atë ditë pasi për 20 minuta do shkonin aty.
Në orën 9.09 nga numri xxxx 975, Arjani telefonon Kelmendin në numrin xxxxx 645. Arjani i thotë se e ka marrë Ermali dhe për 20 minuta do jenë tek kafja ku ai kishte qenë me Dakun. Në orën 9.21 Kelmendi e pyet sërish në telefon Arjanin për vendin ku duhej të shkonte, dhe ky i thotë se do pyeste Ermalin se ku saktësisht.
Në orën 9.22 Arjani ka telefonuar Ermalin për t’u marrë vesh për për vendin ku po priste Genci, por edhe Ermali nuk e dinte saktë. Në orën 9.23, Ermali komunikon sërish me Arjanin dhe e sqaron se Genci është me fuoristradën gri. Në orën 9.45, nga numri xxxxx 189, Gentian Gjonaj telefonon Genci Xhixhën në numrin xxxxx 888. Në bisedë Genci i tregon se po priste tek lokali dhe i kërkon të lajmërojë shokun të vijë ta takojë. Në vijim i thotë se këtë ia ka kërkuar edhe Ermalit dhe i kërkon Gentit ta verifikojë nëse i ka thënë.
Në orën 9.46, Gentiani e telefonon dhe sqaron Kelmendin për vendin e takimit ku e priste ai shoku (Genci). Ndërkohë, nga vëzhgimet u konstatua se në orën 10.22, Kelmend Dalipi, me mjetin BMV X5, me targë AA999KC, ka dalë nga Elbasani në drejtim Librazhdit. Në orën 10.30 ai ka ndalur tek magazinat në Xibrakë, ku ka hapur vetë portën me çelës. Pasi ka hyrë brenda, nga automjeti kanë dalë bashkë me të edhe dy persona të tjerë të veshur me të zeza (kolumbianët) dhe të tre kanë hyrë në ambientet e brendshme të kapanoneve. Përafërsisht në të njëtën periudhë kohore, drejt Elbasanit do të udhëtonin edhe të pandehurit Sajmir Batku, Gentian Gjonaj dhe Ilir Hyseni.
Në orën 9.53, nga numri xxxx 365, Sajmiri ka telefonuar Gentianin në numrin xxxxx 189 duke i kërkuar që të zbresë. Në orën 10.05, Gentiani telefonon Ilirin dhe i thotë se po shkonin ta merrnin tek e motra (vendi ku rrinte Ilir Hyseni). Në orën 10.34, Gentiani e pyet ne telefon Gencin se ku është, dhe ky i thotë se ndodhej tek rrethi i Teg-ut. Në bisedë ata bien dakort të takohen tek kopshti zoologjik.
Nga raportet e vëzhgimit rezulton se pikërisht në orën 10.35, automjeti Mercedes ML, me targë AA080KM, i drejtuar nga Genci Xhixha, ka bërë dy herë rrethrrotullimin e TEG-ut dhe është nisur me shumë shpejtësi drejt Tiranës. Në orën 10.50, automjeti Jeep, me targë TR 5153T, që drejtohej nga Sajmir Batku dhe ku ndodheshin edhe Ilir Hyseni e Gentian Gjonaj, ka përshkuar rrethrrotullimin e TEG-ut dhe ka vazhduar drejt Elbasanit.
Në orën 11.50 mjeti në fjalë ka hyrë në ambientet e brendshme të magazinave në Xibrakë ku ndodhej laboratori. Aty ka dalë t’i priste Arjan Dalipi, i cili ka biseduar me Gentianin. Në orën 12.40, automjeti Jeep, me targë TR 5153 T, që drejtohej nga Sajmir Batku, ka dalë nga ambientet e magazinës dhe është nisur drejt Tiranës. Ndërkohë nga vëzhgimi, në orën 15.00 janë konstatuar Ilir Hyseni, Arjan Dalipi dhe Gentian Gjonaj, duke derdhur në pjesën e pasme të objektit në Xibrakë, nga krahu i magazinave, disa kova të mëdha dhe fuçi me ngjyrë blu.