Nga Dritan Laci
Mbesa ime, këtë vit shkoi në klasën e parë.
Shkoi në shkollë pa asnjë bujë, vetëm me urimet e prindërve të saj dhe çantën e shkollës në duar.
Nuk iu desh të bridhte librari më librari për të blerë librat, pasi Bashkia e qytezës ku jeton me familjen prej shumë vitesh në Greqi, ia kishte paketuar librat dhe ia kishte lënë mbi bangën e saj.
Po kështu nuk pati nevojë të falenderonte askënd, as të dëgjonte 2 orë në rresht kryeministrin për sukseset e tij dhe të maxhorancës qeverisese.
As nuk i kërkoi kush, as asaj por as vogëlushëve të tjerë, të dilnin në foto që më pas imazhet të përdoreshin për propagandë në rrjetet sociale.
Përpos kësaj, në pragfestën shkollore përveç titullarëve dhe personelit pedagogjik nuk kishte asnjë titullar lokal që të mbante fjalime bajate për realizimet dhe premtimet se çfarë do të bënin ata si parti në vitet e ardhshme.
Ishte çdo gjë brenda një fillimi normal viti shkollor, siç duhet të jetë në fakt festa në një institucion të depolizitizuar siç është arsimi.
Por i mësuar me palaçollëkun shqiptar se si një ditë normale fillimshkolle kthehet në një recitim propagandistik realizimesh nga Lideri Suprem e deri te “Halimi që sdi këndim”, hyra të shikoj se çfarë sjellje ka treguar kryeministri grek Tsipras në ditën e parë të shkollës.
Çuditërisht jo vetëm që nuk gjeta asnjë recitim propagandistik për librat falas që qeveria greke u jep nxënësve nga klasa e parë deri në gjimnaz, por nuk pashë një të tillë as në profilin e tij zyrtar në fcb.
Madje krahasuar me Liderin Suprem në Shqipëri, Tsipras kishte postuar për herë të fundit në profilin e tij në fcb, më 17 maj, foto nga një takim me të majtën evropiane.
Pra, kryeministri grek, qeveria e të cilit u jep falas libra shkollorë jo vetëm fëmijëve grekë por dhe fëmijëve të emigrantëve, poston në profilin e tij në facebook një herë në katër muaj dhe nuk shkruan asnjë llaf se çfarë ka bërë ai për qytetarët e tij, ndërsa kryeministri shqiptar në një ditë të vetme poston katër herë video dhe foto propagandistike se si u ka dhënë libra falas, nxënësve nga klasa e parë deri në të katërtën, që në fund të fundit nuk është se i nxjerr nga xhepat e tij, por nga taksat kërbaç që mbledh nga prindërit e tyre.
Nga ata prindër që paguajnë edhe taksë për TVSH-në e karburantit më të shtrenjte dhe me cilesne me te dobet në Evropë, por paguajnë edhe tarifë sa “frëngu pulën” për të kaluar në traun që ka vendosur qeveria, por edhe vuajnë në trafik dhe dëgjojnë edhe sugjerime të llojit: “Merrni transportin publik që të çoni fëmijët në shkollë”.
Qe duhet të durojnë në rreshtore para një shkolle publike kryeministrin që u ka zënë rrugën me fjalime klishe “mësoni që të jeni ekselentë”, dhe qe po i njejti nxënësit e shkëlqyer kur i duhen për të mbushur kronikat e tij propagandistike i merr nga institucionet arsimore private për ti gjezdisur me avion.
Që duhet të durojnë edhe “Halimët që s’dinë këndim”, kur u vijnë me qese me libra nëpër banesa dhe fotot i shesin në rrjete sociale si arritje të maxhorancës së tyre.
Ky është ndryshimi midis recitalit propagandistik që prodhon Kryeministri i Shqipërisë që u drejtohet shqiptarëve si Lideri Suprem dhe sejmenëve të tij, dhe kryeministrit të një vendi të Bashkimit Evropian jo larg nesh që zgjedh në heshtje të uroje nxënësit e vendit të tij për një vit sa më të suksesshëm popullor, pa pasur nevojë ta falenderojë askush për detyrën që në fund të fundit është mandatuar të bëjë.