“Shullazi”/ Loja e dyshimtë e Prokurorisë së Donika Prelës për dështimin e procesit

Nga Boldnews.al

Prokuroria për Krime të Rënda nuk arriti të paraqesë as këtë të Martë konkluzionet përfundimtare për Emiljano Shullazin dhe pjesëtarë të bandës së tij, duke rrezikuar në këtë mënyrë që të pandehurit të dalin së shpejti të lirë, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.

Shkak është bërë mungesa e dy prokurorëve të çështjes, Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi. Dy prokurorët, të cilët kanë përfaqësuar Akuzën që në fillim të procesit ligjor, prej disa javësh nuk po arrijnë që të japin verdiktin e tyre për 5 të akuzuarit për disa vepra të rënda penale, përfshirë pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, gjobvënie dhe kërcënime të pedagogëve.

Në seancën e zhvilluar këtë të Martë, asnjë prej dy prokurorëve nuk ishin të pranishëm në seancë. Elisabeta Imeraj, prej fundit të Korrikut 2018 është komanduar si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës. Ndërsa prokurori tjetwr nuk wshtw paraqitur nw detyrw prej disa javwsh, pwr shkak tw problemeve shwndetwsore.

Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, në mungesë të dy prokurorëve të çështjes, kishte autorizuar të merrte pjesë në seancë paraardhësin e saj në detyrë, prokurorin Besim Hajdarmataj. Ky i fundit, u paraqit në seancën e së martës, por ai nuk ishte i autorizuar dhe as nuk ka mundësi efektive për të paraqitur konkluzionet në emër të Prokurorisë për Krime të Rënda, për shkak se çështja është ndjekur nga dy kolegët e tij.

Prania e Hajdarmatës në seancë është kundërshtuar edhe nga avokatët e të pandehurve, të cilët kanë deklaruar se ai nuk mund të jetë prokuror i kësaj çështjeje, të cilën nuk e ka ndjekur në asnjë fazë të gjykimit.

E gjithë kjo situatë duket një skemë për të lehtësuar pozitën e Shullazit dhe miqve të tij, ku, me shumë mundësi, rezulton e përfshirë edhe Donika Prela. Kjo e fundit ka zgjedhur që të autorizojë, thjesht dhe vetëm për pjesëmarrje në proces gjyqësor, një prokuror i cili nuk ka qenë pjesë në asnjë prej seancave të mëparshme.

Drejtuesja e Prokurorisë, Donika Prela, ka shmangur nga pjesëmarrja në procesin gjyqësor prokuroren Elisabeta Imeraj. Justifikimi, me shumë mundësi, është që Imeraj tashmë kryen funksionet në Prokurorinë e Tiranës. Por, ky qëndrim nuk është aspak ligjor dhe procedurial. Prokurorja Imeraj vijon të jetë pjesë e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe, momentalisht, ajo kryen vetëm funksionet në Prokurorinë e Tiranës si e komanduar.

Gjithashtu, prokurorja Imeraj nuk duket se e ka aspak problem që, vetëm për pak orë, të shkëputet nga Prokuroria e Tiranës dhe të paraqitet në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të paraqitur konkluzionet e dosjes, për të cilën ajo është angazhuar 2 vitet e fundit.

Por, këto alternativa nuk janë marrë në konsideratë as nga vetë prokurorja Imeraj dhe as nga Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela. Madje, kjo e fundit ka vendosur që në proces të jetë i pranishëm një prokuror që nuk ka ndjekur asnjë seancë të procesit “Shullazi”.

Kjo nuk është hera e parë që seanca për konkluzionet e çështjes ‘Shullazi” shtyhen për mungesë të prokurorëve. Por, situata ndërlikohet akoma më shumë, kur, me vullnetin e Donika Prelës, nuk paraqiten në seancë prokurorët e çështjes, duke e shtyrë për një kohë të gjatë të gjithë procesin.

Këto vonesa artificiale i japin mundësi Emiljano Shullazit dhe miqve të tij që të plotësojnë afatet e paraburgimit dhe mund të dalin nga qelia para se ndaj tyre të jepet vendimi përfundimtar.

Emiljano Shullazi është arrestuar në Prill të vitit 2016, fillimisht për kërcënimin e pedagogëve Mynyr Koni e Dhori Kule. Më pas, dosjes së tyre iu shtuan edhe akuzat e pjesëmarrjes në grup kriminal dhe gjobvënie. Prej më shumë se dy vitesh, ai po e ndjek procesin ndaj tij prapa hekurave të paraburgimit.

Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, një person mund të qëndrojë në paraburgim, maksimumi, deri në 3 vjet. Nëse në përfundim të 3 viteve, autoritetet nuk kanë arritur të japin një vendim, atëherë personi i paraburgosur lirohet dhe procesi gjyqësor ndaj tij zhvillohet në gjendje të lirë.

Shullazi tashmë gjendet për më shumë se 2 vjet në paraburgim. Duke pasur parasysh se një ditë në paraburgim konsiderohet si një ditë e gjysëm burgim, rezulton se ai po arrin në afatin maksimal të kohës së paraburgimit- tre vjet. Pra, edhe “lojërat” e dyshimta të Donika Prelës mund t’i japin mundësi Emiljano Shullazit që të përfitojë nga kleçkat proceduriale dhe të shijojë lirinë, para se drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të vendosë që prokurorët e çështjes të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *