Bllokohet zyrtarisht edhe KLP, vonohet SPAK, zgjatet mandati i Arta Markut

Nga Boldnews.al

Komisioni i Vetingut ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Apelit të Durrësit, njëkohësisht kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Bujar Hoti, duke sjellë në këtë mënyrë bllokimin zyrtar të ngritjes së strukturës përgjegjëse për krijimin e SPAK dhe zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) përbëhet, ndër të tjerë, edhe nga dy prokurorë Apeli. Në fillim të procesit, kandiduan 4 prokurorë për këto dy vende. Por, pas procesit të Vetingut, tre prej tyre u rrëzuan, e konkretisht; Besa Nikëhasani nga Prokuroria e Apelit Shkodër, Luan Kaloçi nga Apeli Tiranë dhe së fundmi, Bujar Hoti, nga Apeli Durrës. I vetmi nga prokurorët e Apelit, kandidatë për KLP, që ka kaluar fazën e parë të Vetingut është Arben Dollapaj, i cili ka emërimin në Shkodër.

Në këtë kushte, Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjendet në situatën që është prej dy muajsh edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, tërësisht i bllokuar.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një prej institucioneve të reja të parashikuara nga Reforma në Drejtësi. Ky Këshill do të jetë përgjegjës për karrierën e prokurorëve, promovimin, masat disiplinore dhe shkarkimin e tyre.

Gjithashtu, KLP ka dy funksione shumë të rëndësishme-ai është përgjegjës për përzgjedhjen e prokurorëve që do të jenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Në bazë të dispozitave ligjore, çdo prokuror që do të kandidojë për të qenë pjesë e njësisë më të rëndësishme anti-korrupsion, duhet të marrë aprovimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Krijimi i SPAK-ut ishte qëllimi final i miratimit të Reformës në Drejtësi. Kjo njësi e specializuar hetimore do të jetë përgjegjëse për hetimin e rasteve të korrupsionit dhe përfshirje në krim të organizuar të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Pra, praktikisht, do të jetë struktura, rezultatet e së cilës do të ndihmojnë në integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Për shkak të kompetencës shumë të rëndësishme, analistë dhe politologë të ndryshëm shprehin dyshimin se vonesa në krijimin e SPAK rrjedh nga mungesa e vullnetit politik, sidomos atij qeveritar. Të njëjtët zëra shprehin dyshimin se qeveria po e arrin të vonojë krijimin e SPAK-ut, duke ndikuar tek Komisioni i Vetingut, i cili, si rregull, duhet të jetë i pavarur.

Vonesa në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë sjell si rrjedhojë edhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjore, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet për një mandat 7-vjeçar nga Parlamenti, në bazë të tre kandidaturave të propozuara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Pra, mungesa e KLP-së passjell edhe mungesën e procedurave për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm kushtetues.

Aktualisht, institucioni i Akuzës drejtohet nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Kjo e fundit u zgjodh në detyrë në Dhjetor 2017, vetëm me votat e maxhorancës socialiste, në bazë të një procedurë shumë të dyshimtë ligjore.

Në kohën kur po diskutohej zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, socialistët, e drejtuar nga Ulsi Manja në Komisionin e Ligjeve, përbetoheshin se Arta Marku do të qëndronte në detyrë, maksimumi deri në Mars-Prill 2018, kohë kur pritej të krijohej Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Procedura për zgjedhjen e Arta Markut u kundërshtua ashpër nga opozita, e cila e konsideronte Markun si zgjatim të qeverisë. Vetë Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për t’i hequr vetes vulën që i ka vënë opozita. Përkundrazi, ajo dukshëm është vënë në shërbim të qeverisë. Ndaj, edhe për këtë arsye, maxhoranca ndihet komode me praninë e saj në krye të Prokurorisë dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat kushtetues, nga KLP-ja, nuk hyn në interesat e Partisë Socialiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *