Vettingu, KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Durrësit Bujar Hoti

TIRANE– Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Apelit në Durrës, Bujar Hoti.

Pas hetimit të KPK-së, i cili është zhvilluar në tre shtylla, deklarimi pasuror, aftësitë profesionale dhe pastërtia e figurës, është vendosur se “Prokurori Hoti nuk kalon sitën e vettingut).

Sipas KPK, Hoti “çalon” tek deklarimi i një trualli në Spitallë të Durrësit dhe një apartamenti, për të cilin ai ka deklaruar se e ka blerë për 23 mijë euro, ndërkohë që ka marrë kredi 70 mijë euro për të.

Çështja e apartamentit ka hapur një debat gjatë seancë dëgjimore mes vetë prokurorit dhe përfaqësuesit të ONM-së, Theo Jacobs.

Ai ka ironizuar prokurorin duke thënë: “Ju po na thoni se keni blerë bukë te kasapi dhe prisni që ne ta besojmë këtë. Ne këtu presim të na thuash të vërtetat. Ju folët edhe për kursime, që nuk i keni deklaruar asnjëherë. Morët një kredi 70 mijë euro dhe këto para përfunduan në llogarinë bankare personale të një administratori firme”.

Ndërkohë Hoti i është kundërpërgjigjur se gjithçka e ka fituar me punë dhe askush s’ka kurajë t’i kërkojë llogari për anën ekonomike.

Kam 32 vite që punoj si hetues. Askush s’ka kurajë të më kërkojë anën morale dhe ekonomike. Kam standard dhe jam përplasur me grupe kriminale të ndryshme. Kam mbuluar mbi 60% të Shqipërisë dhe për këto jam shpërblyer. Moto kam vetëm punën e s’kam asnjë vërejtje apo ankesë”, tha prokurori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *