Frika nga Vetingu në politikë, Rama nis fushatën për ta rrëzuar propozimin e PD

Nga Boldnews.al

Propozimi i Lulzim Bashës për Vetingun në politikë e gjeti të papërgatitur Edi Ramën dhe maxhorancën e tij. Pas një serie skandalesh qeveritare, me përfshirje zyrtarësh të lartë në korrupsion dhe me lidhje me anëtarë të organizatave kriminale, kupola e Partia Socialiste nuk do të dëshironte në asnjë mënyrë që të kalonte filtrat e hollë të Vetingut, njëlloj si gjyqtarët e prokurorët.

Hutimi i momenteve të para pas propozimit të Bashës, u pasua nga një qëndrim anemik i kryeministrit, Edi Rama. Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila u zhvillua vetëm pak orë pas propozimit të Bashës, Rama deklaroi se e pranonte idenë e opozitës për Vetingun në politikë dhe madje shpalli se kishin nisur negociatat me PD-në për teknikalitetet.

Ky deklarim ishte bllofi i parë i Edi Ramës. Menjëherë opozita e nxori gënjështar kryeministrin. PD-ja deklaroi se nuk ka nisur asnjë negociatë, pasi, projekti i saj nuk ka nevojë për asnjë negociatë, por vetëm për vullnet politik.

Propozimi i Partisë Demokratike synon që, në Kushtetutë, krahas subjekteve aktualë të Vetingut, pra gjyqtarët e prokurorët, të përfshirën edhe zyrtarët e lartë politikë, kryeministri, ministrat, deputetët dhe të gjithë zyrtarët e institucioneve kushtetuese e të krijuara me ligj, të cilët zgjidhen nga Parlamenti. Ndërsa teknikalitetet ligjore për Vetingun e tyre janë të njëjtat me gjyqtarët, të cilat gjenden në Kushtetutë, të miratuara me konsensus të plotë në Korrikun e vitit 2016. Pra, nuk ka nevojë për asnjë negociatë, por vetëm për vendim politik nga partitë parlamentare që të pranojnë të përfshihen në Veting.

Pasi ky bllof u zbulua, Partia Socialiste, nëpërmjet medias nën kontrollin absolut të saj, nisi të shpërndante “shashka”. Sipas këtyre tymnajave, Basha është i pasinqertë në propozimin e tij, pasi, me vetëdije, përjashton nga verifikimi familjarët e politikanëve. Të kapur pas kësaj fijeje, mediat pro-qeveritare po vijojnë çdo ditë me tentativat për të sfumuar propozimin e Bashës.

Por, përtej propagandës qeveritare, propozimi i kreut demokrat për amendimin e Kushtetutës i nuk ka asnjë lloj ndryshimi nga vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në Aneksin e Kushtetutës, në të cilin gjenden të parashikuara dispozitat për realizimin e Vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk gjendet në asnjë rast termi “familjar”.

I gjithë Aneksi përmend terminologjinë “subjekti i rivlerësimit”, pra, referuar gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por, Kushtetuta i ka hapur rrugë miratimit të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve…” (ligjit të Vetingut), ku janë të parashikuar verifikimet edhe për familjarët.

Propozimi i Bashës pikërisht këtë synon-së pari përfshirjen në Kushtetutë të detyrimit të politikanëve të lartë që të përfshihen nën të njëjtin kontroll, si gjyqtarët e prokurorët. Dhe, pasi të realizohet ky amendim kushtetues, atëherë, vetëm me një ndryshim të vogël të ligjit të Vetingut, ata automatikisht shndërrohen në subjekte kontrolli, njëlloj si gjyqtarët e prokurorët, përfshirë edhe familjarët e tyre.
Gjithçka mbështetet në teknikalitete ligjore shumë të thjeshta, por që ndërlikohen për shkak të mungesës së vullnetit politik nga ana e maxhorancës së Edi Ramës.

Për të goditur këtë nismë të opozitës për pastrimin e politikës nga bashkëpunimi me krimin, e cila në fakt gjen mbështetjen shumë të madhe publike, zyrat e propagandës qeveritare kanë nisur një fushatë sulmesh e denigrimi ndaj kryetarit të Partisë Demokratike dhe pjesës tjetër të lidershipit opozitar.

Këto ditë po ri-publikohen foto nga takimet elektorale të Bashës, po ri-sillen si të reja disa fakte të pabazuara, të përtypura e ripërtypura në zyrat qeveritare, po tregohen e ri-tregohen me gisht disa miq të supuzouar të kreut të Partisë Demokratike. Të gjitha duket se janë pjesë e një skenari për të bindur Lulzim Bashën që të tërhiqet nga nisma e tij për vetingun në politikë, duke i përcjellë mesazhin se edhe ai personalisht do të ketë probleme nga verifikimi i hollësisht i pastërtisë së figurës.

Në fakt, përtej mesazheve të “koduara”, e gjithë kjo sjellje qeveritare përkthehet në frikë nga propozimi i Bashës. Nëse Partia Socialiste do të miratojë amendimin e Kushtetutës që lejon vetingun e politikanëve të lartë, atëherë skalionet e saj në nivel qëndror do të rrëzohen si kala prej rëre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *