Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha sot në Mitrovicë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por kërkon kompromis, që sipas tij nënkupton se askush nuk mund të fitojë gjithçka.
Ai i bëri këto komente në një fjalim në pjesën veriore të Mitrovicës, në përmbyllje të vizitës dyditëshe në Kosovë. Ai tha se nuk janë punë e tij “mitet, ëndrrat apo përfytyrimet apo vizionet e çmendura të Kosovës pa shqiptarë apo çka është me e rëndë, Kosovës pa serbë”. Prandaj u tha ai qytetarëve të mbledhur në “nuk do të premtoj armë e municione edhe pse është e qartë se nuk do t’i lejojmë akujt të përdorë armë dhe municione kundër jush”.
Ai tha se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet për një marrëveshje me shqiptarët në Kosovë, ndërsa hodhi poshtë pohimet se tashmë ka një projekt për një marrëveshje të tillë.
“Kur ju thonë se dua të ndryshoj kufijtë, nuk ua thonë të vërtetën sepse ku janë kufijtë sot? Ne mendojmë një gjë, shqiptarët që janë më të shumtë në numër dhe më të fuqishëm në Kosovë mendojnë ndryshe. Një pjesë e botës mendon një gjë, pjesa tjetër një gjë tjetër”, tha ai duke nënvizuar se synon të ndryshojë të gjitha të drejtat e serbëve në Kosovë.
“Për ata që me ditë, javë e muaj përdorin gënjeshtrën se dikush është bërë gati dhe do të detyrohet të njohë pavarësinë e Kosovës deri në vitin e ri, është gënjeshtër e plotë dhe askujt nuk i bie ndërmend një gjë e tillë”.
Ai u tha të tubuarve se Serbia nuk dëshiron të hyjë në NATO dhe do të ruajë paanshmërinë ushtarake.