Çfarë më mësoi Joni – 2 vjeç dhe Beni – 3 vjeç për shkollën e të vonuarve mendorë?

Nga Artan Fuga
——————————
Përgjatë sezonit të plazhit, njeri pas tjetrit jam njohur me dy fëmijë, me Jonin, një djalosh bjond dy vjeç, pothuajse një bebe, dhe me Ben, tre vjeç, një zeshkan i lezetshëm gjithë gjallëri dhe një sharm krejt të veçantë.

Joni dyvjeçar është fëmijë e dy prindërve shqiptarë që kanë emigruar në Kanada. Sa herë munden ata marrin rrugën e largët për të ardhur në Shqipëri, vendlindjen e tyre të dashur ku kanë prindër, vëllezër e motra, të afërm të tjerë dhe miq e shokë. Sigurisht përfitojnë të vijnë në periudhën e verës edhe për të bërë pak plazh.

I shihja përditë në fillim në breg të detit dhe pastaj kur dielli shtrëngonte i takoja te kafeneja në hije në pjesën pas hapësirës të rërës. Nga pak u miqësuam dhe shkëmbenin biseda nga njera tavolinë te tjera.

Joni në atë orë kur dielli shtrëngonte duhej të flinte në karrocën e tij të lartë e luksoze si pajton mbretërish mesjetarë. E meritonte Joni. Kishte luajtur buzë detit dhe zhytur atje lakuriq, kishte ngritur pa fund kështjella me rërë të lagur, kishte vrapuar e qeshur pa fund.

Tani në ora 12 të drekës, Joni kishte orarin e gjumit në karrocë atje në kafene ku prindërit e tij ishin të ngeshëm dhe vigjëlonin mbi gjumin e qetë të Jonit.

Duket si një histori krejt e zakonshme, por prisni pak ! Joni e donte gjumin, ishte një djalë i qetë. Prindërit e përkëdhelnin, i flisnin, ai qeshte dhe luante sa me duar e sa me këmbë. Sidomos nëna merrej me të qysh në pikë të mëngjesit duke e mësuar të notojë, të ndërtojë me rërë të largët, i tregonte përralla në gjuhën tonë shqipe.

Por, para se ta zinte gjumi Joni kërkonte një tabletë të lidhur në Internet. Dyvjeçari Jon e merrte tabletën, konfiguruar për fëmijë, një margaritar teknologjie, dhe pasi lëviste gishtat e tij mbi ekran gjente herë një përrallë me zë dhe me vizatime plot ngjyra për fëmijë, herë ndonjë film vizatimor për fëmijë të moshës së tij dhe i shihte me endje.

Gjithçka ishte modeluar për atë moshë.

Pasi zbavitej një copër herë virtualisht, pasi kishte bërë gjithë ato ushtrime fizike në det, Jonin e zinte gjumi qetë fare dhe kur ngrihej pas një ore, fiks, ishte në formë të shëlqyer dhe gjithë haré.

Dyvjeçari Jon.

Familja e Jonit iku nga plazhi për në Kanadanë e largët. Më la mbresa Joni që dinte t’i zgjidhte vetë përrallat në tabletë dhe kërkonte pikërisht atë që i pëlqente dhe shihte në ekran për aq kohë sa e kishte këshilluar psikologu ngjyra, pamje të lëvizshme, dëgjonte në anglisht rrëfime për moshën e tij, dëgjonte tinguj muzikorë dhe kjo në mënyrë krejt të kontrolluar dhe të përshtatur për moshën e tij.

Pa harruar ende përshtypjet e mëdha të marra nga vrojtimet e përditshme të Jonit, në plazh erdhi një familje tjetër. Këtë radhë miq të hershëm. Burri francez, kurse gruaja nga Maroku. Ata kishin fëmijën e tyre Ben, trevjeçar, atë që siç e thashë ishte një magji e vogël, një djalë i zeshkët plot sharm dhe gjallëri.

Trevjeçari Ben nuk la lodër pa përdorur nga Velipoja, Durrës, Pogradec. Bëhej qull në djersë, por nuk kishte zot që ta zbriste pa u ngopur që do të thoshte zbriste kur shëndrohej si një top uji mbuluar pra nga djersët e lojës.

Makinat e vogla i voziste si ndonjë mafioz që e ndjek policia, motoçikletat i ngiste si ndonjë polic që ndjek mafiozët në rrugën Tiranë – Durrës, rrotullohej në karusel sikurse të ishte astronaut që shkon drejt Neptunit !

Lëre mos e pyet.

Por, kur mbaronte punë me lodrat offline Ben trevjeçari merrte edhe tabletën e tij dhe humbiste nga një orë paradite dhe gjysëm ore në mbrëmje duke vozitur në të.

Përsëri tableta ???

Po, po, e adaptuar për fëmijë trevjeçarë tashmë.

Ben më pataksi fare. Trevjeçari formonte kodin sekret të programit të tij, kombinim i gjashtë shifrave dhe gërmave. E bënte për një të dhjetën e sekondës. Futej pastaj në komunikim me maçokun robot në tabletë dhe i kërkonte atij lloj – lloj gjërash ose bënin me të mesim gjuhe, arithmetikë, debatonin etj.
Ben trevjeçar njihte të gjitha shkronjat e alfabetit. Bënte mbledhje dhe zbritje deri në dhjetë pa asnjë problem dhe njihte numrat deri në 100 sikur t’i kishte fara kungulli që t’i hante. Ben fliste në tre gjuhë të huaja tashmë si fëmijë, frëngjisht, një si arabçe, dhe anglisht. Pas dhjetë ditësh tentonte të fliste një si shqip me kalamajtëe e tjerë vendas por që dilte nga dy palët si një përzjerje sillabusesh pa kuptim. Por, e provonte. Kishte konceptin e së huajës, e komunikimit, etj.

Nuk kishte bir nëne t’i thoshte trevjeçarit se numri mbi derën e apartamentit të tij nuk ishte 4 sikurse në të vërtetë, por 9. Ben të jepte ujë me bishtin e lugës.

Nisa të mendoj tani seriozisht, pas lojës.

Jon dhe Ben, ardhur nga kontekste kulturore të ndryshme, dy dhe trevjeçarë, që në atë moshë bënin veprime dhe njihnin operacione logjike që në brezin tonë i kishim mësuar aty nga mosha 7 ose 8 vjec. Kurse për vozitjen në web, përzgjedhjen, kuptimin e imazheve dhe figurave të lëvizshme edhe shumë më vonë.

Tani kuptova në veprim se përse statistikat botërore për përdorimin e teknologjive të komunikimit nisin nga mosha 0 deri 3 vjeç.

Sa ka ndryshuar njerëzimi, o inkuizicionistë!

Tre vjeç nëpërmjet një tablete dhe vozitjeje në web të adaptuar në atë moshë, Jon dhe Ben dhe miliona fëmijë për të cilët shoqëritë investojnë rëndë në inteligjencën e tyre, njohin kalkulimet e thjeshta arithmetike, njohin alfabetin, mësojnë disa gjuhë të huaja, sikurse notojnë, dinë të komandojnë lodra elektronike, komunikojnë me robotë për fëmijë, njohin ligjësitë e transformimit të figurave gjeometrike, dallojnë nuancat e ngjyrave dhe kuptimin logjik të tyre.

Zhvillimi i tyre është shumë i akseleruar.

A kishin hequr dorë nga kontakti fizik me botën ? Qesharak shqetësimmi. Ata të merrniçn arrat nga dora, sikurse thotë populli. Fizikisht atletë, të qetë, fëmijë naivë dhe lodërtarë si ata. Asnjë rritje psikologjike para kohe.

Kur mendoj se rruga e edukimit të tyre nuk është privimi nga teknologjia, por mësimi të përdorin teknologji të adaptuar me moshën e tyre, më del urdhëresa që ndalon fëmijët në shkollë, në orët e edukimit, të përdorin teknologjinë e komunikimit në drejtiin e mësuesit..

Ata kanë zhvillim të akseleruar intelektual dhe mendor, pa dëmtuar psikologjinë e fëmijës. Dhe akselerimi në atë moshë sikurse dihet prodhon energji intelektuale dhe mendore të përshpejtuara në të ardhmen.

Duhej të përgatitesh mirë të komunikosh me Ben, Jon, dhe miliona kalamaj të tjerë që sot edukohen kështu.

Nisa të mendoj :

A kemi ne ndonjë studim nga dikasteri përkatës se deri në cfarë mase fëmijët shqiptarë duhet të iniciohen në teknologji që nesër pasnesër të mos duken me zhvillim mendor të vonuar në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre perëndimorë që do t’i kenë në trena, në sipërmarrje a do t’i kenë dialogues në tryeza politike europiane ?

Mos ngjanë edhe sot kështu disa politikanë shqiptarë kur komunikojnë me të ngjashmit e tyre perëndimorë ?

Mos i trajtojnë ata si një popull me zhvillim mendor të vonuar?

Do të ishte katastrofike!!!

Mos vallë kujtojmë se fëmija ka atë kapacitet psiqik dhe mendor sa kishte në kohën e shkollês të motrave të nderuara Qirjazi ?

Cfarë pasojash do të na sjelli si komb fakti që kemi marrë këtë vonesë në integrimin e teknologjive të komunikimit në arsim dhe shkollë ?

Mos vallë si inkuizicionistë që jemi, mbulojmë neglizhimin tonë kriminal në këtë fushë, me parrulla idiote se gjoja teknologjia nuk është për fëmijët disa muajsh e disavjeçarë duke mos e adaptuar për ta ?

Një vonesë disavjeçare këtu jep pasoja vonesash mendore që mund të bëhen disadekadashe kur fëija rrite. Dhe pastaj nuk është çudi kur sheh ndonjë burrë e grua shqiptar që aty rreth të 45 – 50 arsyeton dhe ka psikologjinë e fëmijës jo më të rritur sesa tre ose pesë vjeç?

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here