Shah mat/ Pse Edi Rama do të detyrohet të japë pushtet për të bërë shtet

Nga Boldnews.al

Në vitin e pestë të mandatit të tij qeverisës, Edi Rama ka humbur të vetmen armë të fortë që kishte-sharmin e propagandës. Skenari i fasadës u rrëzua hap pas hapi, kur qeveria e tij nisi të gërryhej nga korrupsioni, kontratat konçensionare, bashkëpunimi fillimisht okult e më pas i hapur i rangjeve të larta qeveritare okult me krimin e organizuar, shkëputja totale nga shqetësimet qytetare, dështimet spektakolare në shëndetësi, arsim e prona.

Kali i betejës së Ramës ishte Reforma në Drejtësi. Por edhe kjo e fundit rezultoi gjithashtu një dështim spektakolar, me bllokimin aktual të të gjithë sistemit të drejtësisë dhe me kalimin në varësi të vullnetit qeveritar.

Edi Rama nuk ka më as mbështetjen e dy ambasadorëve të rëndësishëm, të cilët mbyllën mandatin e tyre kontravers në Tiranë gjatë kësaj vere. Tashmë, kryeministri duhet të llogarisë të përballet i vetëm me opozitën, e cila ka gjithnjë e më shumë argumenta për të sfiduar pushtetin e madh të socialistëve.

Para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, opozita ndërmorri një aksion të fuqishëm, nëpërmjet të cilit synonte t’i jepte fund arrogancës, korrupsionit dhe lidhjeve të krimit me qeverinë. Por ky aksion u kundërshtua jo nga Edi Rama, por nga diplomatët e rëndësishëm që gjendeshin në krah të kryeministrit. Këta të fundit ndërmorrën një fushatë të egër diplomatike, duke e konsideruar aksionin opozitar si një sjellje e frikësuar përballë Reformës në Drejtësi.

Kishte një handikap të madh në këtë qëndrim të ndërkombëtarëve, të cilët preferuan më shumë stabilo-kracinë sesa demokracinë në Shqipëri. Ata deklaruan prerë se opozita kishte frikë drejtësinë e re, ndërkohë që korrupsioni dhe lidhjet e krimit të organizuar me pushtetin janë “ekskluzive” të qeverisë.

Gjithësesi, në një shtet me peshë shumë të vogël specifike, një fushatë si ajo e Lu-Vlahutin do të kishte efekt tek qytetarët, derisa ata, më së fundi, të dalloheshin qartësisht se po luanin lojën e mbajtjes në pushtet të Edi Ramës.

Tashmë, Lu-Vlahutin nuk janë më në zyrat e tyre. Diplomatë të tjerë do të marrin mandatet e reja, ndërkohë që Edi Rama duhet të llogarisë të përballet me aksionin e ri opozitar. Sot, ky aksion ka më shumë bazë-jo thjesht për faktin se ekzistojnë të gjitha provat e korrupsionit dhe lidhjeve të krimit me qeverinë, por edhe për faktin se, falë sjelljes aspak diplomatike dhe tërësisht të njëanshme të Lu-Vlahutin, ndërkombëtarët e Tiranës, kushdo qofshin ata, do e kenë të vështirë të luajnë rolin e “arbitrit”.

Edhe në deklaratat e orëve të fundit para largimit nga Tirana, zyrat e Lu-Vlahutin dhanë mesazhe të kujdesshme, për të mos cënuar pushtetin e Ramës. Ambasada Amerikane, duke dënuar sulmin me armë ndaj shtëpisë së familjarëve të gazetares Klodiana Lala, u shprehën se ishte “…një akt frikacak, që dëshmon se kriminelët kanë frikë nga drejtësia e re…”.

Cila është frika e kriminelëve, kur marrin guximin të qëllojnë me kallashnikov ndaj një shtëpie plot me njerëz? Pse nuk përmendet fakti, siç ambasada ka të gjithë informacionin, që shumë kriminelë shqiptarë kanë marrë guxim falë bashkëpunimit dhe mbrojtjes qeveritare?

Nga ana tjetër, zyra e Vlahutin, pak javë më parë e konsideroi Reformën në Drejtësi, atë që i dha pushtet absolut Edi Ramës si “reformë e shkëlqyer”, pavarësisht se Shqipëria sot është pa gjykata supreme. Është lehtësisht e imagjinueshme se si do e konsideronin nivelin intelektual të Vlahutinit në Kroaci, nëse do të thoshte të njëjtën gjë në vendlindjen e saj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ritheksoi në fundjavë pikat kryesore të aksionit opozitar, të cilat, në fakt, cënojnë thelbin e qeverisjes së deritanishme të Edi Ramës-shkëputjet e lidhjeve të qeverisë me krimin; forcimin e ekonomisë së vendit dhe forcimin e shtetit ligjor, nëpërmjet një drejtësie të pavarur.

A do të jetë i gatshëm Edi Rama që të pranojë të lëshojë pushtet për të bërë shtet? Deri më tani, diçka e tillë ka gjasë që të mos ndodhë. Atëherë, ai do të duhet të përballet me aksion opozitar dhe qytetar të ashpër, i vetëm, pa Lu-Vlahutin, të cilët do i dërgojnë kartolina nga zyrat e tyre të reja, nëse do të arrijnë t’i marrin, për shkak të dështimit spektakolar në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *