“Mure të plasaritur, gati për t’i rënë tavani në kokë fëmijëve dhe pllakat në dysheme të dëmtuara”, kjo është pamja sot në kopshtin ‘Xixëllonjat’ pranë ish-Fushës së Aviacionit.
Vërtet kanë kaluar dy vite që nga hera e fundit që kopshti ‘Xixëllonjat’ është rikonstruktuar, megjithatë kjo nuk është edhe aq kohë e largët saqë godina të shndërrohet në këtë lloj gjendjeje, siç paraqitet në videon e mëposhtme.
Në redaksinë e ‘Hashtag.al’ ka mbërritur një video, ku kopshti i fëmijëve ‘Xixëllonjat’ shihet në gjendje të mjerueshme dhe duket mjaft e habitshme që kjo godinë të jetë katandisur në këtë gjendje, dy vite pasi kryebashkiaku Veliaj inauguroi restaurimin e tij.
“Kopshti “Xixëllonjat” në Fushën e Aviacionit në Laprakë ofron kushte dhe infrastrukturë bashkëkohore dhe të sigurtë për të gjithë fëmijët që e frekuentojnë atë. Kjo falë investimit të kryer nga biznesi në kuadër të nismës së Bashkisë së Tiranës “Adopto një Kopësht”. Ambientet e rikonstruktura të kopshtit u inaguruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se ky kopsht është transformuar plotësisht nga gjendja në të cilën nga koha e fushatës elektorale, një vit më parë.”, thuhet në një njoftim të Bashkisë.
“Dua të theksoj që ky vit do të mbahet mend si viti i fëmijëve në Tiranë. Jo vetëm se do të mbarohen të gjitha kopshtet, por sepse do të mbarojmë këndin e lodrave te Liqeni, do të mbarojmë gjithashtu këndin e lodrave në të 11 njësitë urbane të Tiranës, aty ku dhe përqendrimi i fëmijëve është më i madh.”, ishin fjalët e Veliajt në inaugurimin e këtij kopshti. Por duket se kryebashkiaku dhe punonjësit e bashkisë nuk kanë qenë aq shumë të përqendruar tek puna e restaurimit te kopshtit, aq sa te ndërtimi i parkut të lojërave.