Tavani gati t’u bjerë fëmijëve mbi kokë, si është katandisur kopshti ‘Xixëllonjat’ dy vjet pas përurimit të Veliajt

“Mure të plasaritur, gati për t’i rënë tavani në kokë fëmijëve dhe pllakat në dysheme të dëmtuara”, kjo është pamja sot në kopshtin ‘Xixëllonjat’ pranë ish-Fushës së Aviacionit.

Vërtet kanë kaluar dy vite që nga hera e fundit që kopshti ‘Xixëllonjat’ është rikonstruktuar, megjithatë kjo nuk është edhe aq kohë e largët saqë godina të shndërrohet në këtë lloj gjendjeje, siç paraqitet në videon e mëposhtme.

Në redaksinë e ‘Hashtag.al’ ka mbërritur një video, ku kopshti i fëmijëve ‘Xixëllonjat’ shihet në gjendje të mjerueshme dhe duket mjaft e habitshme që kjo godinë të jetë katandisur në këtë gjendje, dy vite pasi kryebashkiaku Veliaj inauguroi restaurimin e tij.

“Kopshti “Xixëllonjat” në Fushën e Aviacionit në Laprakë ofron kushte dhe infrastrukturë bashkëkohore dhe të sigurtë për të gjithë fëmijët që e frekuentojnë atë. Kjo falë investimit të kryer nga biznesi në kuadër të nismës së Bashkisë së Tiranës “Adopto një Kopësht”. Ambientet e rikonstruktura të kopshtit u inaguruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se ky kopsht është transformuar plotësisht nga gjendja në të cilën nga koha e fushatës elektorale, një vit më parë.”, thuhet në një njoftim të Bashkisë.

“Dua të theksoj që ky vit do të mbahet mend si viti i fëmijëve në Tiranë. Jo vetëm se do të mbarohen të gjitha kopshtet, por sepse do të mbarojmë këndin e lodrave te Liqeni, do të mbarojmë gjithashtu këndin e lodrave në të 11 njësitë urbane të Tiranës, aty ku dhe përqendrimi i fëmijëve është më i madh.”, ishin fjalët e Veliajt në inaugurimin e këtij kopshti. Por duket se kryebashkiaku dhe punonjësit e bashkisë nuk kanë qenë aq shumë të përqendruar tek puna e restaurimit te kopshtit, aq sa te ndërtimi i parkut të lojërave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *