Nga Boldnews.al
Miku i Taulant Ballës, narko-trafikanti i shndërruar në biznesmen, Mond Bego, vetëm për vitin 2018 ka përfituar afro 5 miliardë lekë (të vjetra) në tre procedura tenderuese me kompanitë publike të energjisë elektrike.
Krahas tenderit të publikuar nga Partia Demokratike, ku rezultonte se kompania “Inerte Express” e Begos kishte fituar një tender e OSHEE rreth 1 miliardë lekë për rikonstruksionin e impiantit të Librazhdit, vendlindja e Taulant Ballës, “Boldnews.al” identifikoi edhe dy kontrata të tjera multi-milionëshe që kanë shkuar në favor të ish-anëtarit të bandës së Aldo Bares.
Mond Bego, i cili është dënuar nga autoritetet italiane me 20 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale ka arritur të shndërrohet në një biznesmen të suksesshëm, sidomos gjatë viteve të qeverisë socialiste.
Në bazë të një hulumtimi të kryer nga “Boldnews.al”, rezulton se “Inerte Express” e Begos, ka fituar një kontratë, me vlerë 650 milionë lekë, pas një procedure tenderuese të zhvilluar nga Mars 2018 nga kompania publike , Operatori i Sistemit të Transmetimi (OST), për “Aksesin dhe monitorimin e rrjetit të transmetimit të sistemeve të komunikimit me kapacitete”.
Ky tender është zhvilluar në mesin e muajit Prill dhe pjesëmarrëse ka qenë “Inerte Express” dhe një kompani tjetër private, e njohur për ofrimin e shërbimit të internetit dhe sistemeve kabllore e kompjuterike.
Në përfundim, OST shpalli fitues “Inerte Express”, i cili kishte hyrë në këtë tender si bashkim me një operator tjetër. Sipas shpjegimit në Buletinin e Prokurorimit Publik, kompania e Mond Begos është shpallur fituese, për shkak të ofertës më të ulët që ka dorëzuar për shërbimin e kërkuar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Një kontratë e dytë, shumë herë më e leverdisshme, është përfituar nga “Inerte Express” në Qershor 2018. Kompania e Mond Begos rezulton fituese e tenderit prej 3 miliardë lekësh, të realizuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për “Rikonstruksion të kabinave, muraturë dhe shtrirje e 5 fiderave”.
Edhe në këtë rast, Mond Bego ka fituar tenderin, për shkak se ka paraqitur ofertën më të ulët. Në bazë të dokumentave zyrtare, të publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik, “Inerte Express” ka dhënë një ofertë rreth 500 mijë lekë (të vjetra) më të ulët se sa konkurenti, duke përfituar në këtë mënyrë një kontratë 3 miliardëshe.
Mond Bego, i cili njihet edhe me 4 emra të tjerë, është mik i numrit dy të Partisë Socialiste, Taulant Ballës. Ky i fundit pranoi se ka lidhje familjare me Begon, i cili është dënuar në vitin 2009 me 21 vjet burgim nga Gjykata e Apelit e Torinos, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që ushtronte aktivitet në trafikun e narkotikëve.
Në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar, Mond Bego u arrestua në 2009 në Shqipëri. Ai zhvilloi një proces njohjeje të dënimit italian në gjykatat shqiptare, në bazë të të cilit ai përfitoi një ulje të ndjeshme dënimi-përfundimisht, u dënua me 4 vjet burgim.
Pasi përfundoi dënimin, Mond Bego ri-mori kontrollin e kompanisë “Inerte Express”, të cilën e kishte krijuar në vitin 2007, por që deri pas daljes nga burg, në 2012, nuk kishte pasur aktivitet të zgjeruar tregtar.
Kur në vitin 2013, Partia Socialiste e mikut të tij, Taulant Balla, mori pushtetin, edhe “Inerte Express” e Mond Begos pati një volum shumë të madh pune. Siç rezulton edhe nga dokumentat që po publikon “Boldnews.al”, “Inerte…” ka arritur të përfitojë tendera disa-miliardësh nga kompanitë publike.
Ligji për Prokurimin Publik përjashton në mënyrë kategorike përfshirjen në procedura tenderuese të kompanive të drejtuara apo administruara nga persona të përfshirë apo të dënuar për vepra penale të krimit të organizuar. Në rastin e “Inerte Express” të Mond Begos, autoritetet kontraktore kanë dështuar të zbatojnë detyrimin ligjor, duke i dhënë atij rreth 5 miliardë lekë vetëm për vitin 2018.