Nga Boldnews.al
Një tabor zyrtarësh të lartë kanë trokitur në vitin 2014 në dyert e Gjykatës së Strasburgut për të kërkuar që të pezullohen proceset gjyqësore të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë të drejtën e tyre të pronës.
Denar Biba, në atë kohë zv.kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka pasur detyrën më delikate. Ai duhet të bindte gjyqtarin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledi Bianku, që të ndërhynte tek Presidenti i asaj gjykate për të marrë në konsideratë “lutjen” që vinte nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Pjesë audio nga biseda ndërmjet Bibës dhe Biankut është publikuar paraditen e së Martës, fillimisht nga portali “Exit.al” dhe më tej është shpërndarë, kryesisht në median on-line. Kjo ndërhyrje, krahas faktit që përbën një skandal të rëndë të qeverisë shqiptare, dëshmon edhe për naivitetin e saj që ka synuar të zgjidhë një problematikë lokale, duke tentuar të ndërhyrë me “biseda kafeneje” në vendimmarrjen e Gjykatës së Strasburgut.
Akademia Europiane, një organizëm i përbërë nga ish-gjyqtarë të Strasburgut dhe të tjerë juristë të shquar ndërkombëtarë, e konsideron Gjykatën e Të Drejtave të Njeriut si “gurin e çmuar në kurorën e drejtësisë ndërkombëtare”.
Por, Edi Rama, mëkëmbësi i tij, Ëngjëll Agaçi që ka nisur me mision Denar Bibën, përfshirë edhe këtë të fundit që nuk lë rast pa proklamuar se është jurist dhe konstitucionalist i shquar, duket se e kanë konsideruar Presidentin e Gjykatës së Strasburgut njëlloj si Bashkim Dedjan e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.
Bashkim Dedja, i zgjedhur me votat e të djathtëve si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, u emërua kryetar i saj në vitin 2010. Pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, Dedja bëri shumëçka që të tregonte se ishte i devotshëm ndaj partisë në pushtet.
Pika kulminante e bindjes së Bashkim Dedjas ndaj pushtetit të Edi Ramës arriti kur, nën drejtimin e tij, Gjykata Kushtetuese rrëzoi dy herë ankimet e opozitës dhe të organizmave të gjyqtarëve lidhur me ligjin e Vetingut, pavarësisht paralajmërimeve të Komisionit të Venecias. Por, edhe në raste të tjera, para se të arrinte këtë “kulm”, Dedja është treguar shumë dashamirës ndaj inisiativave ligjore shumë të dyshimta të ndërmarra nga shumica politike e Edi Ramës.
Pikërisht kjo sjellje e përulur e Bashkim Dedjas i ka krijuar perceptimin e gabuar Edi Ramës se, me aftësitë e tij publicistike dhe fashioniste, ai do të arrinte të bindte Gjykatën e Strasburgut që të pezullonte proceset gjyqësore të nisura pranë saj.
Për këtë mision, Rama, nëpërmjet Sekretarit të tij të Përgjithshëm, Agaçi, ka nisur drejt Strasburgut Denar Bibën. Ky i fundit është dalluar për bindje in-extremis ndaj “kërkesave të partisë”. Përfshirë këtu edhe rastin kur, pavarësisht se drejtues i institucionit kushtetues, KQZ, u detyrua të japë dorëheqjen, në zbatim të paktit PS-PD të 17 majit 2017.
Biba, sipas bisedës së publikuar së fundmi, ka tentuar të përmbushë misionin e ngarkuar nga Rama në mënyrë “shqiptare-nëpërmjet një “bisede kafe” në Strasburg me gjyqtarin Ledi Bianku.
Ky i fundit, në një prononcim që ka dhënë për “Exit.al”, është shprehur se, pasi e ka dëgjuar mesazhin që i përcillej me gojën e Bibës, e ka vlerësuar tërësisht të papërshtatshme dhe për këtë, ka njoftuar menjëherë Presidentin e Gjykatës së Strasburgut.
Kodi i Etikës i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në pikën 2 të tij, parashikon: “Gjyqtarët ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të paanshme dhe sigurohen që paanshmëria e tyre të jetë e dukshme. Ata duhet të kujdesen për shmangur konfliktin e interesit, si edhe çdo situatë që mund të perceptohet në mënyrë të arsyeshme si shkak për rënien në konflikt interesi”.
Naiviteti i tepruar i kryeministrit shqiptar, i cili ka menduar ta zgjidhë shqetësimin e tij me “biseda kafesh në Strasburg” ka ndikuar që, të paktën 4 herë, lista e propozuar prej tij për të zëvendësuar gjyqtarin Bianku, të cilit i ka përfunduar mandati, të refuzohet nga Gjykata e Strasburgut.
Por, nga ana tjetër, është një dëshmi e radhës, dhe skandaloze, për mënyrën se si e sheh kryeministri shqiptar raportin e tij me gjyqësorin dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Bëhet fjalë për të njëjtin kryeministër, i cili “fryhet” në krah të diplomatëve të rëndësishëm në Tiranë se është ai personi që po bën shtet.