Abaz Hado, këshilltar i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar sot në studion e ‘Fax News’, ku ndër të tjera u pyet edhe për planin për shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin në truallin e tij të disa kullave.
Hado, i cili ka mbajtur më parë edhe postin e nënkryetarit të bashkisë, u përpoq të justifikojë planin e Veliajt për kullat duke u marrë me veshjen e gazetares në studio.
“Ju jeni vajzë dhe jeni kaq simpatike. Nëse do t’ju vishnin jo me këtë ngjyrë të bukur që ju jep dritë, por me një gjë tjetër… Do pranojë te jepje lajmet me jelek? Pra, ti shkon me progresin, edhe televizioni shkon me progresin. Nëse do vishnit ju jelek kombëtar, do ishte shumë i bukur në një kontekst tjetër, por jo për të dhënë lajmet. Në këtë rast, ty të shkon kjo gjëja moderne, Shqipërisë i shkon gjëja moderne. Çfarë të keqe ka kulla?”,- u shpreh këshilltari i Veliajt.
Përpjekja për të banalizuar çështjen e Teatrit Kombëtar me ngjyrat e robave të gazetares mund të ishte deri diku e kuptueshme nëse Abaz Hado fliste në rolin e një kritiku arti apo piktori, që është edhe profesioni i tij, por jo kur flet në cilësinë e personit që këshillon drejtuesin e qytetit.