Milan është gati për të nisur sezonin e ri dhe kuqezinjtë do e nisin Serinë A me përballjen kundër Napolit të Ançelotit. Nga ana tjetër, Leonardo po vazhdon punën për të gjetur elementë të tjerë që mund të përforcojnë skuadrën.
I pari është Lukas Pakueta dhe aktivizohet me Flamengon. 20 vjeç, mesfushor dhe së fundmi i ka mbërritur dhe ftesa e kombëtares së madhe. Pakueta ka dy vite që aktivizohet me Flamengon, ku numëron 6 gola të shënuar në 34 ndeshje, ku vetëm këtë sezon, duke përfshirë dhe Kupën Libertadores, ai ka shënuar 5 gola dhe katër asiste.
Lojtarit i skadon kontrata në vitin 2020 dhe Flamengo i ka vendosur një klauzolë prej 48 milionë eurosh. Konkurrenca është e madhe për Pakuetën, sepse disa klube si Junajtid dhe Juventus janë vënë pas tij, por braziliani i Milanit mund të bëjë diferencën duke veshur mesfushorin kuqezi.
Nga mesfusha te mbrojtja. Milan është i interesuar për mbrojtësin e San Paolos, Rodrigo Çaio. Rruga drejt sigurimit të shërbimeve të 25-vjeçarit është më e lehtë, sepse ai ka një çmim prej 15 milionë eurosh dhe marrëdhëniet e Leonardos me klubin e San Paolos janë shumë të mira.