Ja si do e kontrollojë Edi Rama krijimin e SPAK nëpërmjet të bindurës së tij, Arta Marku

Nga Boldnews.al

Reforma në Drejtësi në Shqipëri ka një qëllim final, krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), një prokurori speciale që pritet të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

Jo vetëm politika shqiptare, por edhe faktori ndërkombëtar synon që, nëpërmjet Reformës të pastrohet sistemi i drejtësisë dhe prokurorët e gjyqtarët që marrin dritën jeshile e Vetingut, të kenë aftësinë dhe guximin të zbulojnë korrupsionin me fakte në radhët e ministrave, deputetët dhe njerëzit e tjerë të pushtetshëm të vendit tonë.

Të paktën, kështu është në teori, sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore. Por, krijimi i SPAK-ut duket se është i vështirë, pa ndërhyrjen e tentakulave të politikës, sidomos të qeverisë.

Maxhoranca socialiste i ka marrë masat që krijimin e Prokurorisë Speciale të mos ia lërë në dorë rastësisë. Ajo ka nisur të zbatojë planin e saj që në Dhjetor 2017, kur, vetëm me 69 votat e deputetëve të Partisë Socialiste, zgjodhi Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Në atë kohë, socialistët deklaronin se Arta Marku do të ishte provizore dhe do të luante vetëm rol menaxhues të institucionit të Akuzës deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), strukturë përgjegjëse për caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë, si edhe të prokurorëve të SPAK.

Në fakt, pozita e Arta Markut nuk është kaq formale dhe ajo është angazhuar që të krijojë kushtet për të vendosur nën kontrollin e saj procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLP-së, rrjedhimisht, edhe të prokurorëve të rinj të SPAK. Në fund, i fituari do të rezultojë Edi Rama dhe njerëzit e tij, të cilët e vendosën Markun në postin e Kryeprokurores së Përkohshme.

Në përfundim të procesit të Vetingut, i cili tashmë nuk është i qartë se kur do të përfundojë, kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë do të kërkojnë votat e trupës së prokurorëve për t’u caktuar në atë strukturë.

Ligji për “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” parashikon që anëtarët e KLP-së zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve. Prokurori i Përgjithshëm (i Përkohshëm) merr masat organizative për mbledhjen.

Krahas këtij parashikimi ligjor formal, në fakt, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, Arta Marku, ka të gjitha mundësitë që të kontrollojë edhe mënyrën e votimit të prokurorëve, duke orientuar përzgjedhjen tek emrat që kanë mbështetjen e saj.

Nëpërmjet një procedure të dyshimtë dhe jo-ligjore, Arta Marku ka caktuar në krye të prokurorive kryesore njerëz të saj, të cilët e kanë shumë të thjeshtë që të “joshin” apo të ushtrojnë “presion” ndaj vartësve të tyre që, kur të vijë momenti i votimit për anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, vota e tyre të jetë “e kontrolluar”.

Arta Marku, nëpërmjet të përzgjedhurve të saj, tashmë kontrollon totalisht strukturat lokale me numrin më të madh të prokurorëve, gjë e cila i lejon asaj të shkoj e qetë në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të KLP-së.

Me një të rënë të lapsit, për të cilin nuk dha asnjë argument të fortë ligjor as para Komisionit të Vetingut, Marku ka caktuar njerëzit e saj në drejtimin e Prokurorinë së Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Shkodrës, Kukësit dhe tek Krimet e Rënda. Nëse sigurohen votat e shumicës së prokurorëve në këto rrethe për të preferuarit e Arta Markut si pjesë e KLP-së, atëherë ata janë të mjaftueshëm për të mos llogaritur aspak prokurorët e strukturave të tjera lokale, të cilat kanë një numër shumë më të vogël votuesish.

Duke marrë nën kontroll shumicën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arta Marku realizon dy goditje, një në favor të saj personal dhe një për llogari të subjektit politik, Partia Socialiste, e cila e emëroi në detyrën e Përkohshme.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i përbërë nga njerëz të përzgjedhur prej saj, me shumë mundësi do ta votojë Arta Markun për një mandat të plotë 7-vjeçar në krye të Prokurorisë. Nga ana tjetër, KLP, e krijuar në këtë mënyrë, do të realizojë edhe përzgjedhjen e prokurorëve të SPAK-ut, të cilët, nuk duhet t’i krijojnë probleme enturazhit politik dhe qeveritar të Edi Ramës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *