Hotel Dajti si gjysma gjel

Nga Artan Fuga
—————————-
Shkatërrimi i vlerave arkitekturore të Tiranës nuk ka nisur me teatrin dhe ndërtesën e tij. Po mirë, po Bashki ka që të mbrojë pasurinë shpirtrore dhe materiale të qytetit tonë, po këshilltarë a ka, po bashkiakë opozitarë a ka? Shihni në bulevard se çfarë përçudnimi duan t’i bëjnë Hotel Dajtit.

Ai Hotel me pamje pompoze, ku ka kaluar historia e Shqipërisë, nuk dihet se për çfarë arsyeje idiote shëndrohet në ndërtesë të Bankës!

E imagjinoni se deri ku ka vajtur perversiteti ynë. Hoteli kryesor i qytetit, ai që bart jo vetëm historinë e tij, por edhe zanafillat e modernitetit shëndrohet në ndërtesë banke sikurse e tregojnë këto afishet në Bulevard. Absurditetet nuk kanë fund.

Parashikohet pra që veranda madheshtore e Hotelit të dikurshëm të mbyllet dhe të bëhet si bunker trafikantësh. Ku e gjejnë këtë shije trafikantësh aman more! Shikoni shikoni, katet e poshtëme si zyra, katet e larta si hotel katundi, dhe kjo quhet ndërtesë banke.

O pika mua për ata që pranojnë të kenë marrëdhënie me atë bankë që ka këtë ndërtesë, gjysmagjele, gjysëm derr e gjysma pulë.

Mirë që arkitetktë nuk ka dhe lexojmë ca emra italianësh pa din e pa iman, që pranojnë të presin në mish të huaj, po shoqata hotelerie a ka, po shoqatë Tirana a ka, po shoqata që mbrojnë vlerat e trashëgimisë kulturore a ka?

Si mund të pêrçudnohet kështu Hotel Dajti, krenaria e elitave shqiptare? Nga na ka ardhur kjo shije estetike minimaliste, ky banalitet arkitekturor, kjo përdhosje e çdo gjëje që bart kulturë, art, histori?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *