Vrasja e dyfishtë në Gjakovë nxit protesta, familjarët e viktimave akuza policisë për neglizhim të rastit

Dy ditë pas vrasjes së dyfishtë në Gjakovë, ende nuk po zbulohen motivet që shtynë Pjetër Ndrecaj të vriste gruan e tij 40 vjeçare dhe vajzën e tij 9 vjeç. Ndërkohë që zhvillime të reja mësohen të kenë ndodhur pasi ngjarja ka nxitur reagime të forta nga familjarët dhe nga njerëzit në Gjakovë.

Shkëlzen Marku, vëllai i Valbona Marku-Nrecaj, ka fajësuar shtetin për mosmbrojtjen e motrës së tij nga Pjetër Nrecaj. Ai tregon se familja e tij dhe ai vetë kanë njoftuar Policinë se Pjetër Nrecaj sillej me armë dhe kërcënime, por Policia e shtetit nuk ka reaguar.

“Shteti ka dështuar t’i ofrojë ndihmë motrës sime, veç se janë shtetase të Shqipërisë” është shprehur vëllai i Valbonës.

Nga ana tjetër, policia i është përgjigjur akuzave se nuk ka mbrojtur shtetasen shqiptare duke thënë se nuk ka kërkuar mbrojtje.

Drejtori rajonal në Policinë e Gjakovës, Ahmet Hasi, u shpreh se viktima gjatë raportimit të kanosjes nga ish-bashkëshorti në polici nuk kishte kërkuar mbrojtje. Mediat kosovare shkruajnë se Agim Pula nga zyra për mbrojtjen e viktimave deklaroi se i kanë ofruar strehim viktimës por ajo nuk ka pranuar, me arsyetimin se është e strehuar te vëllezërit e saj

PROTESTA NË GJAKOVË

Ndërkohë janë zhvilluar protesta gjatë ditës së sotme në lidhje me ngjarjen e rëndë. Shoqëria civile e Gjakovës, në përkrahje nga Rrjeti i Grave të Kosovës kanë dalë përgjatë qytetit për të bërë thirrje që të vendoset drejtësia.

Protestës i janë bashkuar familja e viktimës së bashku me fëmijët e saj, të cilët kanë veshur bluza me mbishkrimet “duam drejtësi për nënën dhe motrën tonë”.

Me parullat “Mos shfajësoni fajtorët”, dhe “Reagoni me kohë”, për shkak të mosreagimit të Policisë me këtë rast.

“Mos na vrisni nënat”, “Duam përgjegjësi” ishin apeli i disa protestuesve që kishin mbushur rrugët e Gjakovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here