Kryetari i Komunës së Bujanovcit: Çdo zgjidhje për Luginën e Preshevës sjell tragjedi

PRESHEVE- Ideja për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës ka ardhur pas një raporti të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, në të cilin jepet oferta për shkëmbimin e Preshevës me katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili beson se një raport i tillë është sponsorizuar nga vetë kreu shtetëror në Beograd.

Kamberi, i cili më herët ka qenë deputet në Parlamentin e Serbisë dhe ku kishte pasur përplasje të ashpra në legjislativ në atë kohë me ish-kryeministrin Aleksandër Vuçiq, tashmë president i Serbisë, thotë se Lugina e Preshevës nuk është vetëm Presheva e aq më pak disa vendbanime kufitare në ish-Zonën Tokësore të Sigurisë, por përfshinë tri komunat: Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin me 1264 kilometra katrorë.

I pari i Bujanocit insiston se çdo zgjidhje parciale për Luginën e Preshevës do të sjellë tragjedi humanitare. Gjatë intervistës për “Zërin” Kamberi ka shtuar se Lugina e Preshevës nuk kërkon kurrfarë zgjidhje, e cila cenon integritetin territorial të Kosovës e as Kosova për hatër të Luginës të heqë dorë nga ndonjë prej kërkesave të saj karshi Serbisë.

“Ne po flasim për deklarimin e shqiptarëve të këtij rajoni në Referendumin e vitit 1992, në të cilin jemi deklaruar për të drejtën e bashkëngjitjes me Kosovën. Pra, një kërkesë e shtruar në mënyrë plebishitare para se të krijohet situata aktuale në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Kamberit, Serbia ka angazhuar edhe ekspertë të jashtëm për t’i bërë “llogaritë” e skenarëve të zgjidhjeve të mundshme të çështjes së Kosovës. “Siç e thashë edhe më lart, ne nuk kërkojmë kurrfarë flijimi që Kosova duhet të bëjë për dëshirat tona, ne kërkojmë që e drejta e shprehur nga popullata shqiptare të gjendet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel”, ka pohuar mes tjerash Kamberi në intervistën për “Zërin”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here