Knut Fleckeinstein, “humor kinez” me shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë

Nga Boldnews.al

Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, e konsideron mrekulli “eksperimentin” e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, e cila, në pak muaj, shkatërroi dy gjykatat më të rëndësishme në vend, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Eurodeputeti ka dhënë komente me superlativa për rezultatet e deritanishme të Vetingut, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, duke iu shmangur në mënyrë elegante pyetjes se si e vlerëson faktin që Shqipëria nuk ka gjykata supreme.

Ai u shpreh se “Shqipëria mund të jetë krenare me reformën shumë ambicioze të drejtësisë që po zhvillohet…”, e të tjera shprehje të gatshme, por në asnjë moment nuk dha asnjë alternativë “të jashtme” për mënyrën se si sistemi i drejtësisë në vendin tonë duhet t’i rikthehet normalitetit.

Njëlloj si maxhoranca e Edi Ramës, edhe Knut Fleckeinstein sheh si problemin kryesor aktual hapjen e kuotave për Shkollën e Magjistraturës, ndërkohë që sot qytetarët shqiptarë nuk mund të marrin drejtësinë e kërkuar në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Eurodeputeti, duket qartë që nuk e sheh aspak problem mungesën e këtyre gjykatave. Ai nuk jep asnjë recetë, sidomos për maxhorancës, që të gjejë rrugën e dialogut me opozitën për të zgjidhur ngërçin politik dhe institucional në vend. Por, ai ka një “recetë” vetëm për opozitën, lidhur me kundërshtitë e saj mbi ligjin që lejon shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.

“Nëse ka pasur parregullsi (ligji për Teatrin), unë jam i sigurt se opozita do të gjejë mënyrën e duhur për të kërkuar rekurs”-thotë Fleckeinstein. Kjo shprehje duket si “humor kinez”. Ku të dorëzojë rekursin (ankimin) opozita shqiptare për ligjin për Teatrin apo për çdo ligj tjetër, të cilin e vlerëson se është në kundërshtim me Kushtetutën?

Sot, në vendin tonë nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe kjo ka ardhur falë “Reformës në drejtësi”, e cila, falë “ekspertizës” edhe të një aradhe burokratësh europianë, i mundësoi Edi Ramës që të vinte plotësisht nën kontrollin e tij pushtetin gjyqësor.

Një tufë ekspertësh, të mirëpaguar nga taksat e qytetarëve europianë, u lëshuan gjatë tre viteve të fundit në çdo zyrë e institucion shqiptar për të realizuar Reformën në Drejtësi. I gjithë ky grupim, për të cilin nuk u publikua asnjë biografi profesionale, ishte nën kontrollin e ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin.

Kjo e fundit, ndoshta rastësi, e konsideroi vetëm pak ditë më parë Reformën në Drejtësi në Shqipëri, pak a shumë si Fleckeinstein, “mahnitëse”. Këtë shprehje, Vlahutin e tha gjatë një interviste për DË, në të cilën, gjithashtu, anashkaloi problemin thelbësor-mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Të dy këta europianë të rëndësishëm për Shqipërinë, natyrisht nuk japin asnjë koment për faktin që, maxhoranca socialiste, zgjodhi vetëm me votat e saj, një Kryeprokurore të Përkohshme, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *