Nga Boldnews.al
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të mos marrë parasysh ankimet e një gjyqtari dhe një prokurori, të cilët kanë akuzuar publikisht dhe zyrtarisht për shkelje të parimit të konfidencialitetit trupat gjyqësore që kanë kryer procesin e vetingut ndaj tyre.
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi dhe prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi, të dy të shkarkuar tashmë nga shkalla e parë e Vetingut, kanë kanë denoncuar treshet e komisionerëve që realizuan procesin ndaj tyre se kanë publikuar të dhëna konfidenciale përpara se ata të dilnin në seancat dëgjimore. Madje, gjyqtari Selimi shkoi edhe më tej, kur hodhi dyshimet se KPK mund t’i ketë shitur të dhënat e tij konfidenciale tek një televizion kombëtar, administratorja e të cilit kishte një çështje personale me anëtarin e Gjykatës së Lartë.
“Boldnews.al” mori shkas nga ankimet e këtyre dy subjekteve dhe kërkoi informacion zyrtar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke i drejtuar pyetjen: “A do të kërkojë/a ka kërkuar ndonjë prej Komisionerëve të KPK nisjen e procesit disiplinor ndaj komisionerëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari, si edhe Genta Bungo (Tafa), Lulzim Hamitaj dhe Pamela Qirko, në përputhje me nenin 17, pika 1/a të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH”, për dyshime mbi shkeljen e dispozitës së parashikuar në nenin 16, pika 10 të të njëjtit ligj (shkelja e konfidencialitetit), bazuar në rastin e subjekteve të rivlerësimit Shkëlzen Selimi e Rovena Gashi?
Në përgjigje të kësaj kërkese, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit iu përgjigj interesimit të “Boldnews.al”, si vijon: “Në përgjigje të pyetjeve tuaja, ju informojmë se nuk ka asnjë hetim të brendshëm për shkelje të parimit të konfidencialitetit”.
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, u paraqit në seancë dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në dt. 27.07.2018. Në hapje të seancës, subjekti Selimi kërkoi “pezullimin e procesit dhe nisjen e procedimit disiplinor” për anëtarët e trupës gjykuese, e përbërë nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari, me argumentin se “kanë shkelur parimin e konfidencialitetit, mbrojtur nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Europiane për të drejtat e Njeriut” dhe ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH”.
Subjekti i rivlerësimit, Shkëlzen Selimi, në kërkesën e tij, i referohej publikimit në televizionin Top Channel, të dokumentave, të cilët, ishin konfidencialë dhe gjendeshin ekskluzivisht vetëm në dispozicion të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Më konkretisht, subjekti i rivlerësimit Shkëlzen Selimi, i referohej një materiali të Shërbimit Informativ Shtetëror mbi një situatë, ku dyshohej se ishte përfshirë në korrupsion Shkëlzen Selimi në vitin 2011, kur ishte gjyqtar në Vlorë.
Në fakt, rasti konkret nuk rezulton të ketë bazë, përsa kohë që ky material nuk i është vënë në dispozicion autoriteteve hetimore (Policisë dhe Prokurorisë) për të kryer hetime të mëtejshme. Informacionet e Shërbimit Sekret janë të natyrës operative dhe nuk përbëjnë provë para gjykatës, nëse ato nuk verifikohet nga institucionet proceduriale.
Gjithësesi, nga stafi i KPK, vetëm një ditë para se gjyqtari Selimi të dilte në seancë dëgjimore, ky dokument i është vënë në dispozicion Top Channel, i cili, nga ana e tij, kishte ndërmarrë një fushatë sulmesh ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, për shkak të një interesi personal të administratores së televizionit, Vjollca Hoxha.
Gjyqtari Selimi e konsideroi shkelje të rëndë këtë bashkëpunim jo-ligjor ndërmjet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Top Channel. Por, Komisioni i Vetingut, sipas përgjigjes zyrtare për “Boldnews.al” nuk ka asnjë hetim të brendshëm për këtë rast.
Në mënyrë të ngjashme trajtohet nga KPK edhe denoncimi zyrtar dhe publik i prokurores Rovena Gashi. Kjo e fundit ka denoncuar më herët se, të dhëna konfidenciale, të cilat ajo vetë kishte dorëzuar pranë Komisionit të Vetingut, i ishin vënë në dispozicion, në shkelje flagrante të ligjit, portalit informativ online “alpenews.al”, të administruar nga ish-deputeti Alfred Peza.
Ky i fundit aktualisht është në pritje të nisjes së procesit gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, ku është i akuzuar për “pastrim produktesh të veprës penale”, në bazë të një hetimi të kryer nga prokurorja Rovena Gashi.
Një seri të dhënash të Gashit u publikuan në muajin Mars 2018 në portalin e Pezës, duke i shndërruar dokumentat në një fushatë sulmi, për qëllime personale, ndaj prokurores. Megjithatë, pavarësisht se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dështoi të siguronte konfidencialitetin e të dhënave, sërish nuk e vlerëson të nisë një hetim të brendshëm për mënyrën dhe personat që kanë bashkëpunuar me ish-deputetin Alfred Peza, me qëllimin që ky i fundit të hakmerrjen publikisht ndaj prokurores, e cila e mori të pandehur, duke ndikuar në këtë mënyrë që ai të humbiste edhe të drejtën e ri-zgjedhjes si deputet nën siglën e Partisë Socialiste.
Neni 16 i ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” (Vetingut), në pikën 10 të tij ka parashikuar se “Anëtari i institucionit të rivlerësimit mban përgjegjësi disiplinore, veçanërisht për shkak të:…. Shkeljes së detyrimit të konfidencialitetit dhe të mospërhapjes së informacionit, që rezultojnë nga hetimi ose gjykimi, gjatë procesit ose kur ky ka përfunduar, duke përfshirë publikimin dhe shpërndarjen, edhe për shkak të neglizhencës, të akteve ose informacioneve konfidenciale ose të akteve procedurale, që rrjedhin nga çështjet të cilat janë në proces hetimi ose gjykimi”.
Pavarësisht përcaktimeve të qarta ligjore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të mos nisë asnjë hetim të brendshëm për shkelje të konfidencialitetit, pas ankimeve të gjyqtarit Shkëlzen Selimi dhe prokurores Rovena Gashi.