Luca Modric, mesfushori i Real Madrid, është paraqitur sot për herë të parë në qendrën stërvitore ‘Valdebebas’ pas pushimeve që kroati bëri në Itali.
Siç është bërë e ditur tashmë prej ditësh ai është i lidhur me një kalim te Interi dhe sot pritet që ai të ketë një takim me drejtuesit e klubit madrilen.
Pasdite sipas “Gazzetta dello Sport”, 32-vjeçari do të takojë numrin 2 të klubit, José Angel Sanchez, për t’i bërë të qartë dëshirën për t’u larguar në “Seria A” te ziklatërit.
Gjithsesi sipas këtij burimi Modric këmbëngul për të takuar presidentin Perez, i cili sot është kthyer nga Amerika. ‘Galaktikët’ do të përpiqen të bindin mesfushorin, por tashmë Modric e ka marrë vendimin dhe këtë ia ka treguar përfaqësuesve dhe familjes të tij.
Nesër gjithçka do të jetë më e qartë, por gjasat janë të shumta që Modric-in ta shohim në “Seria A”. Real Madrid kohë më parë i ka bërë një premtim futbollistit duke i thënë se do ta lejonin të largohej nëse fitonin trofetë e rëndësishëm dhe Modric do ta luajë edhe këtë kartë nëqoftëse do të hasë pengesa për të plotësuar dëshirën e tij.