PRISHTINE- Pas debateve në distancë fill pas deklaratës së tij për korrigjim të kufijve, vjen një tjetër reagim nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit i është përgjigjur interesit të mediat, ndërsa ka mbajtur një konferencë për shtyp.
“Në pamundësi që t’i përgjigjem interesit tuaj, kam menduar që do ishte më mirë që të kishim një mundësi të përbashkët komunikimi. Sa i përket asociacionit, marrëveshja e 2013-ës është e qartë. Dhe ajo e vitit 2015 është e qartë, marrëveshje që unë e mbështet. Të gjitha këto marrëveshje janë në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës”, tha Thaçi.
Teksa u ndal tek çështja e kufirit, ai saktësoi se bëhet fjalë për korrigjim.
“Synimi nuk është ndryshimi i kufijve, është korrigjimi i tyre, kemi 400 km kufi që duhet të saktësohet me kufirin e Serbisë. Ky proces duhet të jetë i rregullt dhe transparent për llogaridhënie, ndaj shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Nëse ndodh pajtueshmëri e dyanshme, askush s’do të jetë kundër. Koha e luftës ka përfunduar, nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë autonomi. Korrigjim mund të ketë”, tha ai.