Për optimistët e tepruar, ja pse vonohet krijimi i KLGJ dhe KLP


Kushdo që rreket të tregojë se institicionet e reja të sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të krijohen brenda vjeshtës së vitit 2018, ose është një optimist i tepruar ose synon të mbulojë dështimin spektakolar të maxhorancës socialiste, e cila votoi e vetme pjesën më të madhe të ligjeve të Reformës në Drejtësi.

Krijimi i KLGJ dhe KLP është në varësi të procesit të Vetingut. Pas një ngadalësie të tejzgjatur për disa muaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), gjatë periudhës maj-korrik nisi të veprojë me goditje të përqëndruar. Veprimtaria e KPK-së u konstatua dukshëm se u krye me nxitim gjatë periudhës së fundit, kjo për shkak se ky institucion i ri funksionoi më së shumti si një duplikatë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive.

Pjesa më e madhe e rasteve të kaluar në Veting janë përqëndruar vetëm në verifikimin e kriterit të pasurisë, duke anashkaluar totalisht dy kritere të tjera shumë të rëndësishme për figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve- integritetin moral dhe aftësitë profesionale. Kjo, mesa duket, ishte një zgjidhje emergjente e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i gjendur nën presionin e kohës nga ana e qeverisë së Edi Ramës, e cila synon të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, në verën e vitit të ardhshëm.

Kryeministri Edi Rama dhe shpura e tij qeveritare, në bazë të rezultateve të deritanishme të Vetingut, japin garanci në çdo takim të rëndësishëm apo më pak të rëndësishëm me autoritete ndërkombëtare, se sistemi i ri i drejtësisë do të nisë funksionimin brenda këtij viti. Por, ky premtim, si shumë të tjerë pomposë, është jo-realist. Kjo, për shkak edhe të procesit të ndërlikuar, me standarte të shumëfishta dhe ecuri të ngadaltë të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Le të shohim shkurtimisht disa shifra. Deri më tani, KPK (faza e parë e Vetingut) ka mbyllur procesin për 49 gjyqtarë e prokurorë të listës prioritare, nga 57 të tillë, ku përfshihen, krahas kandidatëve për KLGJ/KLP, edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në pritje për të dalë para KPK kanë mbetur edhe 6 subjekte të tjerë, ndërkohë që dy prej listës prioritare dhanë dorëheqjen. Pra, teorikisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka ecur me ritëm të lartë për të përfunduar fazën e parë të Vetingut.

Nga 49 që kanë përfunduar fazën e parë, 21 subjekte janë shkarkuar, ndërkohë që 28 të tjerë janë konfirmuar në detyrë. Por, këtu duhet pasur kujdes të sqarohet situata: Vendimi përfundimtar për shkarkimin apo edhe konfirmimin në detyrë të subjekteve të rivlerësimit merret nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), i cili vihet në lëvizje në bazë të ankimit të vetë subjekteve ose të Komisionerëve Publikë.

Nga 21 të shkarkuarit nga KPK, vetëm dy prej tyre janë tashmë zyrtarisht jashtë sistemit, pas vendimit të marrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Nga dy gjyqtarët, vetëm njëri ishte kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Besim Trezhnjeva. Ndërsa tjetri ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Pra, për 19 të shkarkuar të tjerë, nga të cilët 5 janë kandidatë për KLGJ dhe 6 kandidatë për KLP, ende nuk ka një vendim përfundimtar. Të gjithë gjyqtarët e prokurorët që morën “karton të kuq” në fazën e parë të Vetingut, kanë dorëzuar apo janë në fazën e përgatitjes së ankimeve drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Ky i fundit, sipas ecurisë së deritanishme, kërkon të paktën dy muaj për të dalë në një vendim përfundimtar për ankimet. Pra, me një llogari të tjeshtë, 19 ankimet e dorëzuara apo që priten për t’u dorëzuar nga subjektet e shkarkuar, do të duan minimalisht 6-8 muaj për t’u shqyrtuar përfundimisht.

Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshilli të Lartë të Prokurorisë do të zgjidhen atëherë kur të ketë një vendim përfundimtar për Vetingun për të gjithë kandidatët. Pra, mininalisht, listat mund të plotësohen diku në periudhën mars-prill 2019.

Por nuk janë vetëm ankimet e subjekteve të shkarkuara që pritet të shqyrtohen nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ekziston mundësia që Komisionerët Publikë mund të ankimojnë edhe vendimet për konfirmimin në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo praktikë, deri më tani është ndjekur për 7 subjekte rivlerësimi, pavarësisht se asnjë prej ankimeve të Komisionerit nuk lidhet me kandidatët për KLGJ dhe KLP. Por, kjo nuk do të thotë që në një të ardhme të afërt, Komisionerët Publikë të shprehin mos-dakordësinë e tyre edhe për subjekte të tjerë të konfirmuar në detyrë. Mundësitë ekzistojnë, duke iu referuar disa vendimeve, me shumë pikëpyetje, të marra së fundmi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Për të bërë një përmbledhje të shkurtër- nga 49 subjekte që kanë kaluar fazën e parë të Vetingut, vetëm për 9 gjyqtarë e prokurorë ka një vendim përfundimtar. Dy subjekte janë shkarkuar përfundimisht, me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Shtatë subjekte të tjerë janë konfirmuar përfundimisht në detyrë, pasi Komisionerët Publikë kanë vendosur të mos ankimojnë vendimin pozitiv të dhënë nga KPK.

Pra, ka një listë shumë të gjatë gjyqtarësh e prokurorësh, pjesa më e madhe kandidatë për KLGJ e KLP, të cilët ende nuk kanë një konfirmim përfundimtar në detyrë. E gjithë kjo do të thotë që Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të duan ende shumë muaj para se të konstituohen. Ngritja e tyre, do të pasohet me ngritjen e Gjykatës dhe Prokurorisë Antikorrupsion, struktura, të cilat, më së paku qeverisë i intereson që të nisin funksionin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *