Vetingu/ I dyshuari për falsifikim, Hamitaj vijon të kontrollojë gjyqtarët e prokurorët

Nga Boldnews.al

Disa ditë pasi Partia Demokratike denoncoi me fakte se komisioneri i Vetingut, Lulzim Hamitaj, ka fallsifikuar dokumentat, me të cilat kandidoi për këtë post, strukturat përgjegjëse sillen sikur asnjë nuk ka ndodhur. Hamitaj ka dalë mëngjesin e së Premtes në cilësinë e kryetarit të trupës gjykuese që zhvilloi seancën dëgjimore për prokurorin e Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj.

Komisioneri Hamitaj, në hapje të seancës, lexoi formulën e gatshme të procesit, ku i tregohet publikut se Vetingu synon të pastrojë sistemin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, pa integritet dhe të paaftë.

Në këtë formulë, komisioneri Hamitaj rezulton se nuk e gjen aspak veten, të paktën bazuar në dokumentat publikë që publikuan në fillim të javës përfaqësuesit e opozitës, deputetit Enkelend Alibeaj dhe juristi Gazmend Bardhi.

Sipas gjetjeve të opozitës, komisioneri Lulzim Hamitaj ka fallsifikuar diplomën e gjuhës së huaj, një prej kritereve formale për emërimin si anëtar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).

Në këtë mënyrë, Hamitaj, i cili po angazhohet që të krijojë një sistem drejtësie të pakorruptuar, me integritet dhe të aftë, rezulton se nuk plotëson të paktën dy prej këtyre kritereve.

Nëse provohet se komisioneri Hamitaj ka fallsifikuar diplomën e gjuhës së huaj, me qëllim për t’u anëtarësuar në strukturën vendimmarrëse të KPK-së, atëherë ai ka shkelur me të dyja këmbët kriterin e integritetit moral. Ai, me vetëdije të plotë, ka fallsifikuar një dokument zyrtar, duke kryer në këtë mënyrë edhe veprën penale të “Fallsifikimit të dokumentave”, e cila parashikon dënimin deri në 3 vjet burgim.

Gjithashtu, fakti që ka fallsifikuar dokumentin e gjuhës së huaj, sipas deklarimeve të opozitës, dëshmon që komisioneri Hamitaj nuk plotëson as kriterin e aftësive profesionale. Pra, një prej njerëzve që deklaron se është angazhuar për pastrimin e gjyqësorit, vetë rezulton në shkelje të plotë të ligjit dhe që duhet të përballet me procesin penal për fallsifikimin e dokumentave.

Por, kjo duhet të ndodhte në një situatë dhe vend normale. Procesi i Reformës në Drejtësi po dëshmon se, nën justifikimin e “masave të jashtëzakonshme për pastrimin e gjyqësorit nga korrupsioni”, mund të tolerohen çdo lloj shkeljeje tjetër.

Pas denoncimit publik të Partisë Demokratike, vetëm Prokuroria e Përgjithshme bëri një lloj deklarimi zyrtar të vagullt, ku u shpreh se ‘do të kërkonte nga prokuroria kompetente që të kryente verifikimet…”. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë, të paktën publike, nëse dikush nga prokuroria e Tiranës e ka vlerësuar rastin e fallsifikimit të dokumentave nga ana e komisionerit Lulzim Hamitaj.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë reagim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por as nga vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Komisionerët Publikë, të gjitha këto struktura përgjegjëse për të shqyrtuar rastin e Lulzim Hamitaj.

Mesa duket, institucionet e Vetingut kanë vendosur që të mbyllin sytë, gojën, por edhe hundën, përballë skandaleve që vijnë erë brenda radhëve të tyre. Nëpërmjet kësaj sjelljeje, më së paku apatike të KPK-së, komisioneri Lulzim Hamitaj vijon të shfaqet në detyrën e tij dhe të flasë për integritetin moral dhe aftësitë e gjyqtarëve e prokurorëve, vlera, të cilat atij personalisht i janë vënë në dyshim me dokumenta zyrtarë.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *