Të refuzosh arsimimin në Shqipëri-Nga Luçiano Boçi Të refuzosh arsimimin në Shqipëri

Nga Luçiano Boçi

Eksodi arsimor është një fenomen i frikshëm që ka prekur familjet shqiptare.

Besimi tek sistemi ynë arsimor është në rënie të lirë dhe ka prekur fundin.

Shkolla shqiptare është duke humbur misionin e saj, për shkak të paaftësisë qeverisëse, kompleksitetit të problemeve ekonomiko-sociale që dominojnë jetën dhe të përmbysjes së sistemit të vlerave.

Arsimi parauniversitar pluskon nën një kaotizëm institucional e ligjor ekzemplar dhe nën një trysni politike permanente.

Shkollat gjithnjë e më shumë, po shndërrohen në magazina nxënësish, ku sundon mediokriteti i njohurive dhe mesatarizimi i dijes e edukimit.

Mësuesi është lënë pa dinjitet financiar e moral, ndërsa nxënësi i nënshtrohet inercisë arsimore.

Arsimi i lartë operon me një ligj, i cili nuk arrin dot “të fusë” në terma ligjorë sistemin dhe që ka ndezur “një luftë” absurde midis IAL-ve për numrin e studentëve, duke zhdukur konkurencën e ndershme për cilësinë e dijes.

Kërkimi shkencor është nulifikuar dhe pedagogu është shndërruar në një librashitës të vogël.

Jo vetëm të rinjtë po refuzojnë tashmë, gjithnjë e më shumë, një diplomë universitare shqiptare, e cila nuk i çon gjëkundi, por dhe familje të tëra po largohen nga sytë këmbët “për hir të fëmijëve e shkollimit të tyre, për t’i dhënë atyre një të ardhme që këtu mungon”.

Shifra prej 134 mijë nxënësish më pak, është katastrofale.

Askush nuk mund të dalë tani

e ta justifikojë këtë vetëm me uljen e lindshmërisë dhe aq më keq të na paraqesë për shkak mirëqënien e rritur ekonomike.

Askush nuk i beson më as pallavrave pa pikë e presje të të Ramës e as përbetimeve hipokrite të Linditës.

E vërteta është se Shqipëria po zbrazet çdo ditë e po mpaket e plaket me shpejtësi drite.

Pa arsimim të besueshëm, pa ekonomi, pa të ardhme, pa dinjitet, pa vlera, pa drejtësi sociale, Shqipëria po shndërrohet “në tokën e djegur” të bazëzisë dhe injorancës qeverisëse.

Koha për t’i rikthyer shqiptarëve arsimin, besimin, të ardhmen, dinjitetin në vendin e tyre, është tani!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *