VIDEO/ Grabitësit bëjnë “kërdinë” në Boboshticë, banorët: Kanë lënë vetëm pllakat

Fshati është braktisur dhe të shumtët janë në emigracion. Kurse hajdutët po zbrazin shtëpitë.

Banorët e mbetur të Boboshticës, po ndihen çdo ditë dhe më të pasigurtë për pronën dhe jetën. Vjedhjet e banesave dhe bizneseve janë shpeshtuar, sidomos gjatë muajve të verës. Ato të emigrantëve sulmohen më tepër.

“Në një javë të vidhen katër shtëpi, kjo është një gjë”, tha një banore në Boboshticë.

Grabitja e shtëpisë së Dhimitër Jankos, familja e të cilit ndodhet në emigracion, ka frikësuar banorët. Hajdutët morën gjithçka, nga frigoriferi e lavatriçja, deri tek perdet dhe enët e kuzhinës. Banorët thonë se orenditë u ngarkuan në një maune dhe askush nuk i ndali. Katër denoncime u bënë vetëm javën e fundit.

“Shiko ç’bëhet. Me radhë i morën tashi. Nuk i lanë gjë, vetëm pllakat”, tha një banore.

Policia ende nuk ka rënë në gjurmë të autorëve dhe në këto kushte, banorët e Boboshticës po përpiqen të mbrohen sa të munden vetë nga hajdutët. Qentë roje nuk ju bëjnë punë sepse hajdutët i helmojnë.

“Po qentë i helmojnë ata. Këtu të kesh kamera. Vjen edhe policia ndonjëherë, por prapë…”, tha një banor tjetër.

Sa ju përket kamerave të sigurisë të instaluara kohët e fundit në banesa dhe biznese, ato as i kanë pakësuar vjedhjet dhe as nuk e kanë ndihmuar policinë të zbardhë ngjarjet, që po kthehen në shqetësim të përditshëm për fshatin, vetëm 7 kilometra larg Korçës. /AbcNews

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here