Ekonomia kriminale/ Donald Lu nuk mbulon dot më korrupsionin e Edi Ramës

Nga Boldnews.al

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se Shqipëria është një vend shumë i vështirë për të bërë biznes. Në raportin e tij për klimën e investimeve në 6-mujorin e parë 2018, DASH thekson se: “…. investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria”.

Në vlerësimin e Departamentit të Shtetit dallohet qartë se 2 nga 3 shkaqet thelbësore të klimës së vështirë të biznesit në Shqipëri lidhen pikërisht me aktivitetin e qeverisë, e më konkretisht “mungesa e transparencës” dhe “zbatimi i dobët i kontratave”.

Ky raport i Departamentit të Shtetit është i pari që publikohet pas largimit të ambasadorit të deritanishëm amerikan në Tiranë, Donald Lu, i njohur në publikun shqiptar si mbështetës i qeverisë së Edi Ramës.

Departamenti i Shteti i përpilon raportet e tij, kryesisht në bazë të informacioneve të përcjella nga ambasadorët e tij të shpërndarë në botë, si edhe nga intervistimet e personave të përfshirë në çështje të caktuara-në rastin konkret, tek investitorët e huaj.

Në gjysmën e dytë të mandatit 4-vjeçar të ambasadorit Lu në Tiranë, raportet e Departamentit të Shtetit u përqëndruan kryesisht në problemet e korrupsionit në gjyqësor. Kryeministri Edi Rama, i mbështetur nga Donald Lu, kanë vlerësuar si aspektin më negativ të shtetit shqiptar korrupsionin endemik në sistemin e drejtësisë.

Të dy këta zyrtarë, në çdo rast, e kanë parë Reformën në Drejtësi dhe pastrimin e gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar si çelësin e zgjidhjes së problemeve ekonomike, si edhe të investimeve në vendin tonë.

Rama dhe Lu, të cilët punuan fort që Reforma në Drejtësi t’i jepte pushtet kryeministrit mbi gjyqësorin, e kanë mbajtur fokusin vetëm tek problemet e gjykatave, duke mos e përmendur thuajse asnjëherë problematikën e madhe që ka si shkaktar qeverinë.

Por, tashmë që Donald Lu po pret emërimin si ambasador në Kirgistan, po dallohet qartë se raportet e tij drejtuar Departamentit të Shtetit nuk ishin realiste. Gjithashtu, largimi i tij duket se ka çliruar edhe investitorët e huaj, përfshirë edhe ata amerikanë në Shqipëri, që të jenë më të lirshëm për të identifikuar shkaqet e forta që pengojnë investimet e huaja në vendin tonë.

Investitorët, – thotë raporti, i cituar nga “Zëri i Aemrikës” – ankohen se zyrtarët përdorin rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose legjislacionin jo konsistent, si mjete për t’i larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit, – thuhet aty, – ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit.

Pra, qartësisht, raporti këtu nuk u referohet as gjyqtarëve dhe as prokurorëve, të cilët nga dyshja Rama-Lu janë prezantuar gjatë 4 viteve të fundit si e keqja e vetme që pengon zhvillimin ekonomik të vendit.

Por, nuk përfundon këtu: “Investitorët e mëdhenj të huaj njoftojnë për presione për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikanët dhe shprehin shqetësimin se gjatë veprimtarisë së tyre në Shqipëri, Akti kundër Praktikave Korruptive me Jashtë nuk gjen zbatim…. Raportimet për korrupsion në praktikat qeveritare të prokurimit janë të zakonshme”, thuhet në raport.

Sërish, këta “nënkontraktorë të lidhur me politikanë”, apo edhe praktikat qeveritare korruptive në prokurime”, natyrisht nuk janë dhe nuk kanë lidhje as me gjyqtarë dhe as me prokurorë.

Duke trajtuar çështjen e PPP-ve (kontratat e partneritetit publik privat) në Shqipëri, Departamenti i Shtetit thotë se “përdorimi në rritje i këtyre kontratave ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe konkurrencën e investitorëve të huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë”.

Strategjia e PPP-vë tashmë është kthyer në një model ekonomik, edhe pse jo-efikas dhe shumë i dyshimtë, i qeverisë së Edi Ramës. Shumë sektorë publikë jetikë të ekonomisë, sidomos në shëndetësi, infrastrukturë e karburante janë të përfshira në skemën e PPP-ve, zgjidhje e cila edhe më parë është kritikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Modeli “PPP” është sulmuar ashpër nga opozita, e cila i konsideron këto praktika si formën për të pastruar paratë kriminale, kryesisht me burim trafiqet e paligjshme, në ekonomi. Gjithashtu, opozita i sheh PPP-të si një formë që Edi Rama dhe qeveria e tij shpërblejnë biznesmenët “oligarkë”, të cilët janë investuar që Partia Socialiste të qëndrojë në pushtet.

Edi Rama, i cili deri më tani ka vepruar në partneritet politik me Donald Lu, në vijim duhet të bëjë llogaritë e një lufte politike personale, ku duhet të përballet me dështimet jo vetëm në ekonomi, por edhe në trafiqe të paligjshme. Donald Lu nuk është më në krah të tij, që ta ndihmojë me “raporte limonatë” drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *